Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut: Ahmeti e Sela bashkojnë forcat, sonte nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit

Sonte në orën 21, në sallën e sportit “Rinia” në Gostivar, është paralajmëruar të nënshkruhet marrëveshja e koalicionit midis kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela.

Me hedhjen e nënshkrimeve ASH-ja e Selës edhe zyrtarisht bëhet pjesë e Frontit Europian, një nismë kjo e kreut të integristëve, për të bërë bashkë në një koalicion të madh disa parti, nën moton “Jo Rusisë, Po Europës”. Vendimin për t’iu bashkuar këtij Fronti, ASH-ja e drejtuar nga Sela e mori të enjten, pas mbajtjes së Kuvendit Qendror të partisë, e cila u nda në dysh, pasi kryetari i saj Arben Taravari vendosi të koalicionojë me opozitën shqiptare VLEN.

Për Front Europian, Ahmeti tashmë ka firmosur marrëveshje koalicioni edhe me kryetarin e Lëvizjes Populli Skender Rexhepi, me atë të PDSH-së Menduh Thaçi dhe me kreun e PDE-së Arjanit Hoxha.

Po ashtu marrëveshje janë firmosur edhe me parti të komuniteteve më të vogla, si me Unionin e Romëve, me Partinë Demokratike Turke dhe me Lëvizjen e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci. Pritet që një koalicion i këtillë të lidhet edhe me njërën prej partive boshnjake.

Lini një Përgjigje