Zhduket libri i vizitorëve në MPJD, dyshohet se u mor për t’i fshehur disa emra

Konsiderohet një nga librat më me peshë për sigurinë e institucionit shtetëror, pasi aty evidentohet çdo gjë, kush hyri e doli nga dikasteret qeveritare.

Por të martën e 19 prillit të vitit 2022, zyrtarët e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë nuk arritën ta ruanin atë.

Në mesnatën e 19 e 20 prillit, libri i vizitorëve është avulluar nga recepcioni i kësaj Ministrie.

Kjo gjë dëshmohet në disa komunikime zyrtare, të bëra mes punonjësve të këtij dikasteri, raporton Kiks Kosova.

Por para se të zhdukej libri nga aty, në këtë Ministri ndodhi diçka e çuditshme.

Bazuar në disa informacione të brendshme, thuhet se atë natë, sigurimi i MPJD-së kishte hasur në disa vizitorë të panjohur, të cilët nuk ishin regjistruar në këtë libër.

Pas intervenimit të sigurimit, të njëjtit u detyruan të shënoheshin në librin e vizitorëve.

Por të nesërmen në mëngjes, kur recepsionistja erdhi në punë, libri ishte zhdukur.

Përpjekjet e saj për ta gjetur atë dështuan. E ndodhur përballë këtij fakti, ajo mori një libër të ri, por paraprakisht i njoftoi përgjegjësit e ministrisë.

Bazuar në një email që zyrtarja Flandra Buqaj kishte nisur te përgjegjësit e saj në orën 09:45 minuta të 20 prillit, thuhej se libri i vizitorëve mungon dhe se do fillonte me një libër të ri.

2 orë e 20 minuta pas këtij emaili, ish-drejtori i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme, Agron Maloku, tregon se ka kërkuar të gjejë të vërtetën për librin. Dhe gjatë kësaj rruge kishte kuptuar se libri ishte marrë nga recepcioni me urdhër të stafit të brendshëm të Ministrisë, madje për këtë veprim të paautorizuar kishte pasur njohuri edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm Behar Isma.

Madje ai u kishte kërkuar zyrtarëve të vendosur në recepcion, që të ishin të kujdesshëm dhe që rastet e tilla të mos përsëriteshin pa ndonjë njoftim paraprak, duke theksuar faktin që çdo gjë mund të verifikohej përmes kamerave të sigurisë.

I menjëhershëm kishte qenë edhe reagimi i Aferdita Arifajt, e cila në atë kohë mbante pozitën shefe e IT-së. Arifaj, që në këtë kohë kishte qenë në pushim vjetor, do të kërkonte që të hapej rast në policinë e Kosovës.

Në emailin e saj theksohej se kurrë më parë nuk kishte ndodhur një veprim i tillë në Ministri, e për me tepër Arifaj kishte ngritur edhe dyshimet se libri edhe nëse kthehej, mund të ishte i manipuluar.

Por krejt i heshtur në këtë rast kishte qëndruar zëvendëssekretari i MPJD-së, Behar Isma, i cili në fakt kishte qenë i informuar për tërheqjen e librit edhe para se të ndodhte alarmimi i recepcionit të MPJD-së.