“Laboratori i Lumirit”, Veliu shpërthen pasi humbi nga Hyseni: Do t’i shihni marifetet e “dr. manipulatorit”

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, është ankuar për procesin zgjedhor pasi javën e kaluar Ekrem Hyseni, u zgjodh kryetar i degës së LDK-së në Llap.
Sipas tij, një proces i tillë ishte i ngutshëm dhe jo-transparent, transmeton Fookusi.info.

Veliu pretendoi se Hyseni gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë së degës së LDK-së, ua kishte bërë me dije anëtarëve se nuk i nevojiteshin në procesin “e manipulimit” të zgjedhjeve. Sipas tij, Hyseni ka suspenduar kryesinë, kurse procesin zgjedhor ia kishte besuar grupit punues që ai e quan manipulues, teksa përmendi edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryesia, anëtarët e saj, kishin dalë nga mbledhja e fundit pa u informuar se kur dhe ku do të niste procesi zgjedhor. Do të informoheni, u kishte thënë onkologu që kishte përgatitur ekipin për ta zhvilluar deri në metastazë kancerin që e injektoi në degë nga laboratori i Lumirit”, shkroi ai.

Po ashtu, ai tha se përkrahësit e LDK-së në Llap do të informohen edhe për “marifetet e tjera nga kuzhina e dr.manipulatorit me sejmenët e tij në misionin e defaktorizimit deri në zhbërje të LDK-së në bastionin e saj për hatër të Lumirit”.

Veliu mes tjerash pati akuza edhe ndaj ish-kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, duke e cilësuar atë si “dr manipulatori”. Ai përmendi edhe LVV-në, PDK-në dhe AAK-në.

Postimi i tij i plotë:

Kronika e manipulimit të një procesi zgjedhor (1)
Një proces i ngutshëm dhe jo transparent
Kryetari i instaluar i LDK-së, “doku”, në mbledhjen e fundit të kryesisë së degës ua kishte bërë me dije anëtarëve të këtij organi se nuk i nevojiteshin në procesin e manipulimit të zgjedhjeve.
Dr.manipulatori kishte suspenduar kryesinë, e procesin zgjedhor ia kishte besuar grupit punues, në këtë rast, grupit të besueshëm manipulues.
Kryesia, anëtarët e saj, kishin dalë nga mbledhja e fundit pa u informuar se kur dhe ku do të niste procesi zgjedhor. Do të informoheni, u kishte thënë onkologu që kishte përgatitur ekipin për ta zhvilluar deri në metastazë kancerin që e injektoi në degë nga laboratori i Lumirit.
Dhe, jo më larg se të nesërmen, pas mbledhjes ku u suspendua kryesia, nisi procesi i manipulimeve me kuvende nëndegësh, me të ftuar specialë sipas listave të përpiluara nga grupi manipulues-kontrabandues i onkologut kancerogjen.
Që ditën e parë të prcesit manipulativ, kur u mbajt “kuvendi” i një nëndege pa u informuar anëtarësia e saj dhe duke u njoftuar se ky proces po monitorohej nga i deleguari i Lumirit, Xhafer Gashi, të njëjtin e kam kontaktuar përmes telefonit dhe i kam kërkuar që të përkujdesej për proces të rregullt e transparent zgjedhor. Një gjë të tillë ma premtoi edhe ai, por fjalën e mbajti derisa e mbyllëm bisedën.
Doli se Xhafa kishte ardhur ta bëjë të kundërtën, ta ndihmojë dr.manipulatorin dhe ekipin e tij që procesi të jetë sa më jo transparent dhe sa më klandestin.
Dr.manipulatori nuk publikoi orar të mbajtjes së kuvendeve sipas rregullave dhe praktikës së deritashme e as sipas modeleve të degëve të tjera (për ilustrim do t’ia bashkangjes këtij teksti dëshmitë me orare të publikuara nga dy degë) as nuk i informoi kryetarët e nëndegëve se kur duhej të mbanin kuvendet.
Ekipi kontrabandues i dr.maipulatorit me monitormanipuluesin Xhafer nuk duhej të publikonin orar takimesh, sepse kishin vendosur të zhvillojnë proces zgjedhor gueril. Për aksionet e tyre të pista anëtarësia dhe ndonjë kryetar nëndege merrnin vesh të nesërmen, ose pas dy tri ditësh, kur dikush nëpër kafehane do t’i pyeste “prej kur filani i LVV-së, PDK-së a AAK-së qenka bërë LDK e me shkue delegat në degë?”…
Për guerilen e dr.manipulatorit nuk kishte rëndësi se cilit kamp politik i takonte, rëndësi kishte t’i bashkohej operacionit të skuadrës manipuluese-kontrabanduese “zgjedhore” në LDK
Për dijeninë e anëtarësisë dhe simpatizanëve të LDK-së, që mbetën të përjashtuar nga procesi i rregullt zgjedhor në Llap, kaq për transparencën në procesin gueril të dr.manipulatorit dhe komandant Xhaferit.
LDK-istët e Llapit ditëve në vazhdim do të informohen edhe për marifetet e tjera nga kuzhina e dr.manipulatorit me sejmenët e tij në misionin e defaktorizimit deri në zhbërje të LDK-së në bastionin e saj për hatër të Lumirit.