Zhurma populiste “patriotike” rreth Mini Shengenit Ballkanik

Tre liderë të Ballkanit të trazuar kanë filluar një nismë rajonale për qarkullim të lirë të mallrave e të njerëzve. Ende pa u bërë të ditura mirë qëllimet dhe orientimet e kësaj iniciative ka filluar një fushatë e rrugës, populiste e “patriotike” edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.

Në Shqipëri kjo fushatë është më lehtë e zbërthyeshme, sepse atje lufta për pushtet ka shkuar në një stad të lartë dhe çdo gjë që bën pozita hidhet poshtë dhe sulmohet nga opozita dhe anasjelltas.

Ndërsa, sa i përket kësaj fushate në Kosovë, ajo po bëhet nga pozitat thjesht populiste e pa asnjë analizë të mirëfilltë, as politike e as ekonomike.

Dy janë drejtimet në të cilat duhet një analizë e mirëfilltë për t’i dhënë përgjigjen e duhur kësaj e çfarëdo nisme në rajonin tonë të trazuar.

Së pari, është e pashmangshme analiza politike për çfarëdo nisme, qoftë ajo edhe thjeshtë ekonomike, kulturore e qoftë edhe sportive.

Në aspektin politik, Mini Shengeni Ballkanik është sulmuar në Kosovë në mënyrë shumë joparimore duke filluar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e deri të liderë partish e madje edhe nga analistë të ndryshëm. Pothuajse të gjithë njëzëri, duke filluar me Hashim Thaçin, kanë deklaruar se Kosova nuk merr pjesë në iniciativa të tilla aty ku është edhe Serbia, deri sa ajo të na njohë! Kjo, fillimisht nuk është e vërtetë, e pastaj është edhe një qëndrim që i dëmton interesat e Kosovës. Kjo nuk është e vërtetë, sepse Kosova deri më tani ka insistuar në pjesëmarrjen nëpër iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, ndërsa ka qenë Serbia ajo që shumë shpesh ka protestuar dhe madje është larguar nga tryezat për shkak të Kosovës. Kur, nga kush dhe pse ndryshoi ky kurs! Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit i hap rrugë Serbisë që të ndjehet komode nëpër iniciativa të tilla, sepse Kosova po e përjashton vetveten.

Së dyti, është e pashmangshme dhe e domosdoshme një analizë ekonomike nëse Kosova humb apo fiton nga një iniciativë e caktuar, qoftë rajonale, qoftë me përmasa më të gjera. Por kjo analizë u takon ekskluzivisht ekonomistëve, pasi që ta kenë marrë vlerësimin politik për iniciativën e caktuar nga burrështetasit.

Reagimet populiste “patriotike” që i dëgjuam për këtë iniciativë, të përcjella me fyerje e me përpjekje për ta deklasuar kundërshtarin nuk i kontribuojnë aspak një vendimi serioz e me peshë shtetërore. Përkundrazi, ato mjegullojnë e vështirësojnë çdo analizë serioze e vendim me peshë. /Fokusi.info/