Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e komenton moskthimin e pajisjeve të OVL UÇK-së

Gjatë ditës së djeshme është njoftuar nga ushtruesi i detyrës së kryetarit së Organizatës së Veteranëve të Luftës Faton Klinaku, se sot Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës së Hagës do t’i dorëzonte provat e marra me rastin e arrestimit të krerëve të OVL UÇK-së, më 25 shtator 2020.

Por, sot ato nuk u kthyen.

Sipas avokatit Tomë Gashi, arsyetimi i njërit prej zyrtarëve të Speciales ishte se nuk ishin ende të gatshëm për t’i kthyer.

Gashi tha se një gjë e tillë nuk ndodhi edhe pse ishte e paralajmëruar.

Sipas tij kthimi nuk u bë për shkak se i është kërkuar prokurorëve të Speciales të tregonin se çka kishin gjetur me rastin e arresimit të Gucatit dhe Haradinajt.

Klan Kosova ka kontaktuar me Zyrën e Prokurorit të Specializuar për të marrë detaje lidhur me rastin.

Në përgjigjen e dërguar për Klan Kosova nga zëdhënësi i ZPS-së Christopher Bennett, thuhet se këto nuk janë çështje që diskutohen me mediat.

“Kjo nuk është një çështje që ne e diskutojmë me mediat”.