Zyrtarët e VV-së vazhdojnë me fake news: O’Brien nuk e zëvendëson Escobarin

Zëvendësministri i Mjedisit Avni Zogiani, i sapoemëruar në këtë pozitë nga Kryeministri Albin Kurti, ka komentuar të dielën ndryshimet në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Zogiani e ka shpërndarë një lajm me titull “Biden propozon pasardhësin e Gabriel Escobar”.

Në fakt, lajmi që e ka shpërndarë Zogiani është i pasaktë sepse Presidenti Biden e ka nominuar një një zyrtar për pozitën e Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit e jo për ZëvendësNdihmës Sekretar të Shtetit.

Bëhet fjalë për James O’Brien i cili nëse konfirmohet në Senat, do ta marrë pozitën që ka mbetur vakante pas largimit të Karen Donfried. Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike mbulon edhe Ballkanin rrjedhimisht edhe Kosovën.

Escobar është Zëvendës i Ndihmës të Sekretarit të Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe nga kjo pozitë dhe ajo e Emisarit për Ballkanin mbulon edhe dialogun Kosovë -Serbi.