Zyrtarët ukrainas: Mbi 2,100 banorë të Mariupolit janë vrarë

Zyrtarët ukrainas: Mbi 2,100 banorë të Mariupolit janë vrarë

Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se 2,187 banorë janë vrarë deri më tani. Ky qytet, që është rrethuar nga trupat ruse, po përballet me bombardime të vazhdueshme, duke lënë banorët pa furnizime thelbësore për pothuajse dy javë.

Zyrtarët lokalë thanë se një ditë më parë, të paktën 22 sulme ajrore ruse kanë goditur qytetin.

“Banorët janë në një situatë të vështirë tash e 12 ditë. Nuk ka rrymë, ujë, apo ngrohje në qytet. Po ashtu, nuk ka pothuajse as komunikime telefonike. Furnizimet e fundit me ushqim dhe ujë janë duke u harxhuar”, tha këshilli i qytetit përmes një deklarate.

Forcat ruse kanë arritur të marrin kontrollin e pjesës lindore të periferisë së Mariupolit.

Ndërkaq, sipas imazheve satelitore, të publikuara së fundmi, në këtë qytet granatimet dhe bombardimet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile.