Zyrtari i VV-së i reagon Edi Ramës: S’ke nevojë të na mbrosh nga Ramushi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dalë në mbrojtje homologut të tij në Kosovë, Albin Kurtit, për heqjen e taksës. Por, duke mbrojtur Kurtin, Rama ka sulmuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ka vendosur tarifën ndaj mallrave serbe. Për këtë, ka reaguar zyrtari i VV’së, Arbër Zaimi. Ai po thotë se Rama s’ka nevojë ta mbrojë Kurtin nga Haradinaj.

Përmes një statusi në Facebook, Zaimi ka shkruar se një kryeministër i Shqipërisë do duhej t’i bashkonte qëndrimet dhe strategjitë me Kosovën.

“Neve nuk na duhet Rama të na mbrojë nga Ramushi. Kemi qenë vetë opozitë e demonizuar padrejtësisht dhe e shtypur, dhe pjesë e ndryshimit që kemi dëshiruar është edhe sinqeriteti e hapja për bashkëpunim me opozitën, jo armiqësimi me të. Çfarë do të na ishte dashur e çfarë presim, jo nga personi, por nga çdo kryeministër i Shqipërisë, është bashkimi i qëndrimeve dhe strategjisë së Shqipërisë me Kosovën, sa i përket politikës ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

Tutje Zaimi thotë se qeverisë nuk i duhet mbrojtja e opozitës. Sipas tij, nevojitet qëndrim i përvasgkët ndaj vendeve e projekteve armiqësore ndaj shtetësisë së Kosovës.

“Këto vende e projekte kanë fituar hapësirë, pikërisht duke shfrytëzuar moskoordinimin e shqiptarëve dhe prirjen e tyre që të “fitojnë pikë” para superfuqive duke u treguar sa më “bashkëpunues” me fqinjin, shpesh duke shkelur mbi vëllain, qoftë ai në krahun tjetër të pushtetit, qoftë në krahun tjetër të kufirit”, ka shkruar ai.