39 ankesa në Institucionin e Avokatit të Popullit për Ligjin e Pagave

39 ankesa janë deponuar deri më tani për Ligjin për Paga në Sektorin Publik, në adresë të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Nga ky institucion për Front Online kanë treguar se vetëm pas shqyrtimit të ligjit dhe ankesave, Avokati i Popullit do të del më një qëndrim për këtë çështje.

“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 39 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit, për Front Online.

Nga IAP kanë treguar se nga cilët sektor kanë pranuar ankesa.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj”, thuhet më tutje në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit.