A do ta votojë Demarkacionin, grupi i ri parlamentar i të dorëhequrve nga VV?

Kryesia e Kuvendit e ka caktuar për të martën në orën 16:00, seancën ku pritet që të votohet demarkacioni në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Tashmë dihet që partitë e koalicionit (PDK-AAK-NISMA) së bashku me LDK-në, i posedojnë 79 vota “pro” kësaj çështjeje. Atyre iu duhet edhe një votë, në mënyrë që të ratifikohet marrëveshja e demarkimit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, që vjen nga radhët e AAK-së, u shpreh i bindur që të martën do të përfundojë kjo temë.

Ai tha për Insajderi, se beson që ky grup i ri parlamentar, do të jetë fleksibil dhe parimor, që mos ta lejojnë këtë temë, në dorë të Listës Serbe.

“Grupi i pavarur është shumë konstruktiv. Unë shpresoj tek ta që të gjindet ndonjë deputet apo si tërësi e grupit dhe do të mendojnë pozitivisht. Unë pres që këta do të reflektojnë pozitivisht dhe do të votojnë pro kësaj marrëveshje. Arsye për këtë gjë është se ata janë më fleksibil. Nuk besoj që ata e lejojnë këtë çështje të varur nga dikush që mendojnë më ndryshe, pra Listës Serbe. Por, sido që të jetë, them me bindje të plotë që të martën do të arrihet ratifikimi”, ka thënë Lekaj.

Ndërkaq, Dardan Sejdiu, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur ka  mohuar se do votojnë pro marrëveshjen e demarkacionit.

Ai ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar, dhe të 12 deputetët e këtij grupi janë unik dhe votojnë “kundër”.

“Sa i përket demarkacionit, të gjithë jemi unik. S’ka ndryshuar asgjë. Si kemi qenë para dy jave, si dje, ashtu edhe jemi sot. S’ka votë për këtë marrëveshje”,ka thënë Sejdiu.