A do të ketë takim Thaçi – Kurti sot në Berlin? Vjen përgjigja e papritur!

Një përgjigje e dhënë për Gazetën Express nga Ambasada e SHBA’së në Berlin, demanton raportimet e bëra në media, se emisari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, do t’i bëjë bashkë sot në Berlin, presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e VV’së, Albin Kurtin. Ambasadori Richard Gerenell madje nuk gjendet fare në Berlin.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë udhëtuar për në kryeqytetin e Gjermanisë, ku do të marrin pjesë në një organizim të “East-West Institute” në të cilin do të flitet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas agjendës zyrtare të siguruar kjo konferencë do të fillojë sot (5 dhjetor) në orën 18:00 dhe do të zgjasë vetëm deri të premten (6 dhjetor) në orën 18:00.

Megjithatë përgjatë këtyre dy ditëve (5 dhe 6 dhjetor ) nuk do të ketë kurrfarë takimi të iniciuar nga ambasadori i SHBA’së në Berlin, Richard Grenell, me presidentin Hashim Thaçi apo liderin e VV’së, Albin Kurtin, meqë emisari i Donald Trump për dialogun Prishtinë-Beograd nuk ndodhet fare në Berlin.

Një gjë të tillë ekskluzivisht për Gazetën Express e ka konfirmuar Joseph Giordono-Scholz nga zyra për media e Ambasadës së SHBA’së në Berlin, i cili ka treguar se Grenell nuk gjendet fare në Berlin.

“Ambasadori Grenell ndodhet në një udhëtim zyrtar, kështu që nuk do të jetë në Berlin as sot e as nesër”, ka thënë Scholz ekskluzivisht.

Në media që nga dje është raportuar se sot në Berlin, Ambasadori Richard Grenell, do të ndërmjetësojë një takim Thaçi-Kurti në Berlin, meqë dy politikanët kosovarë ndodhen në kryeqytetin gjerman.

Sipas këtyre raportimeve ky takim i sotëm do të iniciohej nga ambasadori Richard Grenell, për të afruar qëndrimet asimetrike të dy politikanëve sa i përket dialogut ndërmjet Kosovë-Serbisë.

Se Presidenti Thaçi ka udhëtuar për në Berlin që të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim” e kanë konfirmuar përmes një komunikate për media nga zyra e presidencës më 4 dhjetor.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Berlin të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti “Lindje-Perëndim””, thuhej në njoftim.

Ndërkohë nga zyra për media e LVV’së për Gazetën Express kanë konfirmuar se edhe Albin Kurti ka udhëtuar për në Berlin që do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën e organizuar nga East-West Institute.

Megjithatë nuk mund të përjashtohet ndonjë takim i presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, me Përfaqësuesin Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer, i cili do të jetë pjesë e kësaj konference në Berlin.

Palmer sipas agjendës zyrtare të kësaj konference të cilën e ka siguruar Gazeta Express do të jetë pjesë e panelit të diskutimeve më 6 dhjetor.