A do të shtrenjtohet çmimi për ngrohje? Flasin nga Termokosi dhe ZRrE-ja

Rreth 16 mijë prishtinas ende nuk e dinë nëse do ta paguajnë më shtrenjtë çmimin për ngrohjen qendrore nga “Termokos”.

Ani pse janë duke pritur ende raportin nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), nga “Termokos” thonë se nuk ka ndonjë indikacion për ndryshim të tarifave.

“NP “Termokos” ka aplikuar në ZRRE për tarifat për energji ngrohëse. Jemi në pritje të raportit nga ZRRE të strukturës tarifore për sezonin ngrohës 2022/2023. Deri më tani nuk kemi ndonjë indikacion se do të ketë ndryshim të tarifave për ngrohje”, thuhet në përgjigjen e “Termokos”.

Lidhur me këtë, Front Online ka pyetur Zyrën e Rregullatorit për Energji, ku thonë se tani edhe është publikuar raporti për diskutim publik.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar për diskutim publik Raportin Konsultativ ‘Vlerësimin e të Hyrave të Lejuara për Ngrohtoren e Termokos Sh.A për sezonin e ngrohjes 2022/2023. Dokumenti i publikuar paraqet vlerësimet e ZRRE-së për përmbajtjen e aplikacionit si dhe propozimi për të Hyrat e Lejuara Maksimale për sezonin 2022/2023, dhe nuk paraqet vendim përfundimtar të Bordit të ZRRE”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Pas përfundimit të këtij procesi, thuhet se bordi e shqyrton për tarifat e ngrohjes.

“Pas vendimmarrjes së Bordit për të hyrat e Lejuara Maksimale pason procesi i shqyrtimit dhe miratimit të tarifave për sezonin 2022/2023”, thonë nga ZRRE për Front Online.

Në këtë sezon, janë kyç rreth 4 mijë konsumatorë të rinj.

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” do të nisë sezonin e ngrohjes më 15 tetor.

“NP “Termokos” SH. A. gjatë sezonit ngrohës 2022/2023 do të kyçë për herë të parë në rrjetin e ngrohjes rreth 4 mijë konsumatorë të rinjë. Bazuar në aktet ligjore në fuqi, sezoni i ri ngrohës 2022/2023, përkatësisht furnizimi me energji ngrohëse për rreth 16 mijë konsumatorë fillon më 15 tetor”, thuhet në përgjigjen e “Termokos” për Front Online.