A mund t’i përballojë Kosova politikisht dhe ekonomikisht një palë zgjedhje të reja?

Dështimi për ta zgjedhur presidentin e vendit mund ta dërgojë Kosovën në zgjedhje të reja parlamentare brenda këtij viti.

Kjo tashmë madje është konfirmuar edhe nga nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i cili në një paraqitje televizive është deklaruar se qeveria do të formohet me rreth 64 vota dhe dështimi për ta zgjedhur presidentin e dërgon vendin në zgjedhje, shkruan lajmi.net.

Por, sa mund t’i përballojë Kosova ekonomikisht dhe politikisht një palë zgjedhje të reja, por gjithashtu edhe për nga aspekti shëndetësor pasi tashmë veç është paralajmëruar një valë e re e infeksionit në kohë kur po vazhdon përballja intensive me COVID-19.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu tani është koha të reflektohet në interes të shtetit dhe të qytetarëve dhe një eksperiment i ri me zgjedhje të reja do të ishte grushti më i madh që mund t’i jipet Kosovës në këtë kohë.

“Është koha kur politikanët kosovarë duhet të reflektojnë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës dhe me të vërtetë një eksperiment i ri me zgjedhje të reja do të ishte grushti më i madh që mund t’i jipet Kosovës por edhe të ardhmes së Kosovës.”, tha Gërxhaliu.

Tutje ai potencoi se problemet e Kosovës janë të natyrës politike, ekonomike, shëndetësore dhe integruese e një palë zgjedhje të reja në këtë moment të krizës ekonomike do të ishin fiasko për Kosovën.

“Duke u bazuar që jemi duke u ballafaquar me probleme të natyrës politike, me probleme të mëdha të aspektit ekonomik dhe integrues, gjithashtu jemi vendi që ka bërë më së paku sa i përket luftës kundër COVID-19 dhe një palë zgjedhje eventuale do të jenë fiasko për ekonominë kosovare.”, tha Gërxhaliu.

Gjithashtu ai tha se duhet sa më shpejtë të formohen institucionet dhe të adresohen problemet.

“Në këtë kohë duhet të mendohet për interesin e shtetit, formimin e institucioneve dhe vërtetë problemet të adresohen për t’u zgjidhur dhe jo për t’u diskutuar.”, tha në fund Gërxhaliu.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani është shprehur se është më mirë të mos ketë zgjedhje të reja për shkak të stabilitetit dhe funksionimit institucional, mirëpo nëse nuk ka rrugëdalje tjetër, duhet të mbahen.

“Tash zgjedhjet parlamentare kushtojnë 6.5 milionë euro, më mirë është të mos ketë sërish zgjedhje për shkak të stabilitetit që mund të zbehet shumë funksionimi institucional mirëpo nëse nuk ka rrugëdalje tjetër atëherë duhet të mbahen zgjedhjet, më mirë do të ishte të zgjedhet një president i pavarur dhe pastaj të ndryshohet Kushtetuta.”, tha Bujrani.

Burjani gjithashtu shprehet se Kosova mund t’i përballojë një palë zgjedhje të tjera financiarisht, por se do të ishin sinjal negativ për demokracinë, stabilitetin dhe gjithashtu do të ishte më e rrugës që 6.5 milionë euro të futen në rimëkëmbje ekonomike.

“Kosova mund të përballojë edhe një palë zgjedhje financiarisht, mirëpo mbajtja e zgjedhjeve sërish është sinjal negativ dhe jo shpresëdhënës për demokracinë dhe stabilitetin e shtetit, por më mirë do të ishte që 6.5 milionë të jepen në rimëkëmbje ekonomike sesa për zgjedhje të reja, tash prolemi politik dhe paaftësia politike detyron prap zgjedhje.”, tha Burjani.

Dialogu si sfidë tjetër e cila do të rrinte pezull mbi Kosovën në rast të zgjedhjeve të reja për Burjanin është temë kruciale dhe nëse refuzohet nga qeveria e ardhshme atëherë edhe kjo mund ta dërgojë vendin në zgjedhje.

“Sa i përket dialogut me Serbinë një marrëveshje sa më parë duhet të arrihet. Tash e 20 vjet konflikt mbetet i ngrirë dhe Kosova ka administrim ushtarak, pra territori dhe sovraniteti sigurohet nga KFOR-i. Dialogu është krucial dhe nëse refuzohet nga qeveria që pritet të bëhet atëherë shteti do të shkojë në zgjedhje sepse ndërkombëtarët nuk do të tolerojnë që dikush të heq dorë nga paqja.”, tha ai.

Në fund, sipas Burjanit mos-themelimi i institucioneve do të ndikonte negativisht në luftën kundër pandemisë.

“Sa i përket luftës kundër pandemisë COVID-19, sigurisht që mos-themelimi i institucioneve do të ndikonte negativisht dhe normal që 6.5 milionë euro është më mirë të shfrytëzohen për luftën kundër pandemisë sesa për zgjedhjet të kota që prodhojnë të njëjtin rezultat.”, tha ai.

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë pavarësisht që kanë nxjerrë një fitues me dallim të madh nga partitë e tjera dhe e ka pothuajse të sigurtë formimin e qeverisë, kriza mund të bartet tek dështimi i zgjedhjes së presidentit që kërkon 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës ose së paku prezencën e 2/3 të votave në raundin e tretë votues.

Një gjë e tillë nuk mund të ndodh pa koordinimin e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje me ndonjërën nga partitë e tjera opozitare si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ose Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duke përfshirë gjithashtu edhe pakicat serbe dhe jo-serbe në Kuvend.