AAK po mbledhë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme lidhur me arrestimet

Deputetja Time Kadrijaj, që njihet me nofkën: “doktoresha e UÇK-së”, ka bërë të ditur se AAK-ja është duke mbledhur nënshkrime dhe synon që nesër të mbajë seancë të jashtëzakonshme, lidhur me rastet e fundit të arrestimeve nga Gjykata Speciale.

Kadrijaj ka thënë se janë shqetësuese veprimet e fundit nga Specialja, derisa ka krahasuar bastisjen në shtëpinë e Jakup Krasniqit si në kohën e Millosheviqit.

“I kemi përcjellë me shqetësim situatën e krijuar dje dhe sot sepse spektakli që ka ndodhur ditën e djeshme në shtëpinë e ish-kryeparlamentarit na ka kthyer vite prapa në kohën e Millosheviqit kur janë bastisë shtëpitë e qytetarëve të Kosovës dhe që janë arrestuar shqiptarët për bindjen ndryshe nga regjimi ose që nuk e kanë pranuar shtetin e Serbisë. Dhe ato pamje nuk i bëjnë nderë askujt, as Kosovës e as Bashkësisë Ndërkombëtare, sepse me faktin se çdo ushtar i UÇK-së që ka pasur ftesë iu ka përgjigje vullnetarisht. Pra, nuk kemi pasur nevojë për spektakle të tilla”, ka thënë Kadrijaj.

Deputetja Kadrijaj ka thënë se tashmë i ka të gatshme nënshkrimet e Grupit Parlamentar t ë AAK-së, ndërsa mirëpret edhe deputetët nga partitë tjera politike që të japin nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.