Abrashi: S’janë pjekur kushtet për zgjedhje

Gjykata Kushtetuese në Kosovë pritet që brenda kësaj jave të shprehet lidhur me dekretin e Presidentit, Hashim Thaçi që i hap rrugën krijimit të një qeveri të re. Por, ndërsa ende gjykata nuk është shprehur zyrtarisht, nga një anë Vetëvendosja duke se po përgatitet për protesta, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur programin qeverisës.

Arban Abrashi, deputet i LDK-së thotë se paraqitjen e programit nuk e shikojnë si formë presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se cilido që do të jetë vendimi do të respektohet plotësisht.

“Ajo që kemi dash të bëjmë, janë se dëmet ekonomike janë të mëdha në Kosovë për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë dhe nuk kemi dashur që të humbim asnjë ditë të vetme dhe të nisim ta zbatojmë që në ditën e parë”, deklaroi Abrashi.

I pyetur nga gazetarja, Bruna Çifligu ai tha se, rrëzimi i qeverisë me shumicë dërrmuese në Kuvend si dhe shprehja e vullnetit nga deputetët për të vijuar me një qeveri të re, tregojnë se nuk janë pjekur kushtet për zgjedhje.

“Kemi pasur një mocion mos besimi para dy muajsh dhe ka qenë vullnet i më shumë se 2/3 e Kuvendit, të cilët janë shprehur kundër qeverisë “Kurti” dhe në prezantimin tonë ne kemi kërkuar që Kuvendi i Kosovës që ka mandate 4-vjeçar të formojë qeverinë e re. Ne kemi krijuar një shumicë dhe kjo është demokratike. Mandati i Kuvendit është shumë pak i konsumuar”, nënvizoi deputeti i LDK-së.

“Nuk doja të paragjykoja, por ajo që mund të them është se ne si LDK do të pranojmë plotësisht vendimin e gjykatës dhe të gjitha subjektet politike duhet të bëjnë këtë gjë. E dyta, aq sa e njoh Kuvendin e Kosovës unë mendoj se vullneti i deputetëve është që të vazhdohet me një qeveri të re pasi nuk janë pjekur kushtet për zgjedhje”, ka shtuar Abrashi në një intervistë për “Euronews Albania”,.

Lidhur me qëndrimet e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani kundër këtyre zhvillimeve, ai tha se, znj. Osmani ka qenë kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit parlamentare, por politikat e partisë kanë ndryshuar në përputhje me rrethanat e reja. Abrashi tha se, LDK ka demokraci të brendshme dhe e lejon mendimin ndryshe.