Agim Veliu për marrëveshjen VV-LDK: Mbeten çështje për t’u biseduar nga sot e tutje

Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, është deklaruar lidhur me mundësinë e arritjes së marrëveshjes së koalicionit qeverisës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai komentoi takimin e sotëm që pritet të ndodhë mes dy liderëve partiakë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, por pa dhënë detaje për marrëveshjen potenciale.

“Bisedimet janë duke u zhvilluar. Disa dallime programore janë tejkaluar, tash të shohim çështjet tjera që kanë mbetur – janë çështje që do të bisedohen prej sot e tutje”.

Veliu gjithashtu foli për kreun e VV-së Albin Kurti, në raport me figurën e Ish Presidentit Ibrahim Rugova, me ç’rast tha se mbetet e secilit të vendosë për vete për nderimin e figurës së presidentit historik.

Këto komente ai i dha përderisa bëri homazhe pranë varrin të Rugovës, i shoqëruar nga Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri.