Agjencia për Informim dhe Privatësi gjobit me 20 mijë euro komunën e Podujevës

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka njoftuar se ka shqiptuar gjobë prej 20 mijë eurosh ndaj Komunës së Podujevës, pasi në faqen e saj zyrtare në internet, ka të publikuara lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave të qytetarëve, të cilët kanë fituar subvencione, që përfshijnë periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2022.

Lajmi u bë i ditur në një njoftim nga ky institucion.

Tutje u tha se AIP ka konstatuar se Komuna e Podujevës ka publikuar lista me të dhënat e subjekteve, të cilat lista kanë përmbajtur të dhëna personale si: emri, mbiemri, numri personal, numri i telefonit, vendbanimi dhe shumën e përfituar.

Përmes publikimit të këtyre të dhënave, kjo komunë ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me këtë ka kryer kundërvajtje nga neni 92 i të njëjtit ligj.

“Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, me vendimin Nr. 73/22, të datë 23.03.2022, ka shqiptuar gjobë kundërvajtëse ndaj Komunës së Podujevës, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”, vijon vendimi i AIP.

AIP ka bërë thirrje te të gjithë kontrolluesit, që përpunimin e të dhënave personale të bëjnë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën do të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura deri te shqiptimi i gjobave për mos-respektim të dispozitave të parapara në ligj.