AGK-ja dënon sulmet e bashkëshortit të Presidentes Osmani ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për gjuhën denigruese të Zotëriut të Parë të Kosovës, Prindon Sadriut, të përdorur ndaj mediave, duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me gjuhën denigruese që Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”, thuhet në reagim.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë.

Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mbanë post shtetëror në MPJ shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”, thuhet më tej.