Ahmeti tregon vijën e kuqe që ia tha Mustafës për rrëzimin e Qeverisë

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës dhe PSD-së, ka treguar vijën e kuqe që thotë t’ia ketë thënë liderit të LDK-së, Isa Mustafa, në takimin për t’u koordinuar për rrëzimin e Qeverisë Hardinaj.

Në Puls të KTV-së, Ahmeti ka thënë se e dëshiron rrëzimin e Qeverisë qysh sonte, por ka shtuar se për këtë ka kërkuar një koordinim më të mirë opozitar dhe që të ketë garanci për një vijë të kuqe, që LDK-ja të mos përfundojë më vonë në koalicion me PDK-në.

“Me dëshirë e rrëzojmë qeverinë. Kam pas një takim edhe me Mustafën ku kemi folur për rrëzimin. I kemi thënë se kemi dhënë votat për mocion dhe jemi të interesuar për dy gjëra, të kemi koordinim të opozitës e jo që të merren vet ato dyja e të na thonë hajdeni edhe ju dhe që koordinimi opozitar të shkojë drejt një marrëveshje që çon në rrëzim të qeverisë e alternativë për të ardhmen. Minimumi është garancion për vijat e kuqe. Jemi të interesuar që LDK-ja s’përfundon pastaj në koalicion me PDK-në. Kjo ishte ndër gjërat kryesore dhe e dyta ishte që mundësisht të bëhen përpjekje maksimale për të mos e rrëzuar me Listën Serbe”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se megjithatë nuk ka parë bashkëpunim të nesërmen kur ka parë se shefat e Grupeve Parlamentare të LDK-së dhe VV-së ishin pajtuar për tekstin në mocionin për rrëzim të Qeverisë.

Duke folur për kushtin që të mos rrëzohet Qeveria me votat e Listës Serbe, Ahmeti ka thënë se nuk dëshiron që “t’i japim zgjedhjen Vuçiqit që të na çojë në zgjedhje kur të dojë ai”.

“Duhet t’ia heqim ndikimin Listës Serbe të paktën për këto çështjet e mëdha. Ama Qeveria e meriton rrëzimin qysh sot për shkak të skandaleve, për 53 milionëshin e për Telekomin”, ka shtuar ai.

Ahmeti, që mban edhe postin e shefit të Ekipit Negociator, ka thënë se fokusin më të madh e ka në punën si kryetar i Prishtinës.