AKR i reagon ministrit Vitia, pasi tha se Pacolli do të vendoset në karantinë pas kthimit nga Zvicra

Jetlir Zyberaj, këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, ka thënë se kreu i AKR-së i ka respektuar rregullat e shtetit zviceran lidhur me pandeminë.

“z.Behgjet Pacolli ka respektuar rreptësisht rregullat e autoriteteve zvicerane dhe ka qëndruar në shtëpinë e tij në Lugano në mbyllje në javët e fundit që nga shpërthimi i virusit “.

Zyberaj shtoi se kreu i AKR-së nëse rikthehet në Kosovë e bën duke i respektuar rregullat e shtetit helvetik.

Ai theksoi se modeli i karantinës në konviktet studentore është një model kinez që nuk duhet të zbatohet në vendet e përparuar.

“Ai nëse vjen, vjen direkt nga shtëpia e tij, me avion privat duke respektuar rregullat e udhëzuara në Zvicër. Si del se autoritetet e Kosovës nuk kanë besim në rregullat e zbatuara nga autoritetet zvicerane?. Ideja për karantinë në një konvikt studentor është një model kinez që nuk është aplikuar në vendet e përparuara të Evropës “.