“Ligji për pagat”, Kryeministrit Albin Kurti do t`i rritet rroga për hiç më pak se 780 euro

Është publikuar sot një kopje e propozimit ligjor për rregullimin e pagave në sektorin publik, sipas të cilit parashihet që kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, t’i rritet paga për 780 euro.

Siç raporton Gazeta Blic, nëpërmjet ligjit të pagave kryeministri i Kosovës do të ketë koeficientin e pagës “19”.

Vlera e një koeficienti ende nuk është saktësuar në projektligj, por kjo gazetë shkruan se kjo vlerë e koeficientit do të jetë 120. Pra, nëse shumëzohet koeficienti i pagës, 19, me vlerën monetare të tij, 120 euro, atëherë paga bazë e Kryeministrit Kurti do të jetë 2,280 euro, pa përfshirë këtu shtesat tjera.

Paga e tij do të rritet për 780 euro.

Ndërkaq, presidentes Vjosa Osmani, paga do t’i zbritet nga 2672 në 2400 euro. Pra, presidentes do t’i zbritet paga për 272 euro.

Krahas presidentes, me ligjin e ri të pagave, rroga do t’i ulet edhe kryekuvendarit.

Nga 2555 euro, paga e tij do të zbret në 2280 euro, pra rreth 300 euro më e vogël.

Ndryshe, Ligji i pagave që ishte miratuar në Qeverinë Haradinaj e që ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, gjithashtu e parashihte presidentin e shtetit si njeriun më të paguar në vend, me koeficient 10, derisa kryeparlamentari, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen me koeficientin 9.

Atë kohë, vlera e një koeficienti ishte 239 euro.

Sipas atij ligji, paga e presidentit do të ishte 2,390 euro.

Paga e kryeministrit do të kishte koeficientin 9 ose 2151 euro në muaj.Koeficient të njëjtë me kryeministrin, sipas tij ligji që ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese do të kishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.