Albin Kurti paralajmëron koalicionin me LDK-në. A është e mundur kjo?

Përmes një postimi në Facebook, Kurti e ka cilësuar si vonesë caktimin e kësaj date për shpërndarjen e Kuvendit.

Madje është shprehur i bindur se partia e tij do të dalë fituese në këto zgjedhje.

Madje ka lënë të kuptohet se mund të ketë koalicion me partinë e Isa Mustafës, njeriut që gjatë kohës sa ishte kryeministër e kishte gjuajtur me vezë, e më vonë aktivistët e partisë së tij, ia kishin sulmuar shtëpinë me molotov.

Ky është postimi i Kurtit në Facebook:

Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër.

Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi.

Duhet të fitojmë e do të fitojmë. Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve!

Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare.

Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë….