Ardhja e kontingjenteve me vaksina nga Pfizer, pritet përshpejtim i procesit të vaksinimit antiCOVID

Më 28 dhe 29 qershor në vend arritën kontingjente me vaksina nga marrëveshja e nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Pfizer.

Derisa më 28 qershor arritën 81 mijë e 900 vaksina, më 29 qershor arritën 106 mije e 470, që në total janë 188,370.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar se me ardhjen e vaksinave Pfizer, vaksinimi do të marrë një ritëm të ri, të përshpejtuar, për të vaksinuar të gjithë qytetarët e kualifikuar sipas grupeve prioritare, të regjistruar në platformën eKosova.

“Këto dhe vaksinat që do të vijnë, do të jenë të mjaftueshme në arritjen e objektivit tonë për imunizimin e 60% të qytetarëve brenda vitit 2021”, ka thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Me ardhjen e dozave të para nga kontrata e Ministrisë së Shëndetësisë me Pfizer, vaksinimi në masë do të shtrihet edhe tek kategoritë e tjera të popullatës deri në arritjen e objektivit tonë për imunizimin aktiv të 60% të qytetarëve brenda vitit 2021”.