Arrest shtëpiak për dy policët që u përfshinë në dallaveret me patentë shoferë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj dy policëve të Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. N.Th. dhe S.B. po dyshohet se kanë qenë të përfshirë në skandalin me patentë shoferë.

Pasditen e 5 korrikut Policia e Kosovës ka arrestuar 23 persona për dallavere me patentë shoferë.

Të dyshuarit ishin arrestuar nën dyshimin se në bashkëveprim kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe marrje e ryshfetit”.

Në mesin e të arrestuarve ishin edhe dy policë të Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Gjykata Themelore në Prishtinë të shtunën ka marrë vendimin për shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tyre.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 27.07.2019 ka marrë aktvendim me të cilin të pandehurve iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Të pandehurit N. Th. masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë prej datës 25.07.2019 deri më 24.08.2019, ndërsa të pandehurit S. B. do t’i zgjasë prej datës 26.07.2019 deri më 25.08.2019”, ka thënë Gashi.

Masa e arrestit shtëpiak është shqiptuar edhe ndaj personave tjerë të arrestuar në rastin e dallavereve me patentë shoferë./GazetaExpress