Arrestohen shefi i laboratorit dhe dy laborantë në QKMF në Vushtrri, dyshohen për keqpërdorim të pozitës

Shefi i laboratorit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri dhe dy laborantë janë arrestuar sot, pasi dyshohet se të njëjtit kanë shënuar vlera pa i ekzaminuar fare sipas procedurës mjekësore (centrifugim dhe ekzaminim mikroskopik) dhe duke i paraqitur ashtu si kanë dashur në raportet mjekësore të pacienteve.

Në njoftimin e Policisë thuhet se “hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) Mitrovicë Jug, pas hetimeve disa mujore të zhvilluara, duke aplikuar edhe masat e fshehta të hetimit sipas urdhëresës se Gjykatës Themelore të Mitrovicës në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit dhe të asistuar nga Inspektoret e Shëndetësisë të Ministrisë së Shëndetësisë, sot më 15.06.2022, kanë inspektuar laboratorin e analizave në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri”.

“Gjatë inspektimit janë konfiskuar libra të protokollit dhe raporte mjekësore për të cilat dyshohet se laboranti V.T., (viti i lindjes 1959, mashkull kosovar) në bashkë-kryerje me kryeteknikun e këtij laboratori S.B., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar) kanë shënuar vlera pa i ekzaminuar fare sipas procedurës mjekësore (centrifugim dhe ekzaminim mikroskopik) dhe duke i paraqitur ashtu si kanë dashur në raportet mjekësore të pacienteve, duke filluar nga data 01.04.2022 e deri me datën 31.05.2022”, thuhet në njoftim transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se “bazuar në dëshmitë e siguruara përmes masave të fshehta dhe dëshmive të konfiskuara në laboratorin e në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri është siguruar dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit B.B., shef i Laboratorit në QMF 1 në Vushtrri, S.B., kryeteknik i laboratorit dhe V.T. laborant kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tre të dyshuarit, janë shoqëruar për tu intervistuar në prezencë të avokateve mbrojtës dhe në konsultë me Prokurorin kompetent të rastit të PTH-së në Mitrovicë, të lartë cekurve ju caktohet masa e ndalimit për 48 orë.