Arrestohet Ronaldinho

Ish-futbollisti i Brazilit dhe i Barcelonës, Ronaldinho është arrestuar në Paraguai. Ai akuzohet se ka hyrë në vendin e Amerikës Latine me pasaportë false. 39-vjeçari, u ndalua në një resort sëbashku me vëllai, Roberton, të mërkurën. Lajmin e konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme të Paraguait.

Sipas gazetës lokale La Nacion, legjendës braziliane dhe vëllait të tij iu gjetën pasaporta false me kombësi paraguaiane. Mësohet se Ronaldinho ishte ftuar nga pronari i resortit. Ai pritej që të merrte pjesë në disa aktivitete të ndryshme.

Ronaldinho është aktualisht pa pasaportë braziliane për shkak të një dënimi që mori në vitin 2018. Ish-ylli i Milanit dhe vëllai i tij u dënuan sepse ndërtuan një lak për peshkim në liqenin Guaiba pa licencë në një zonë të mbrojtur.

Ata u dënuan me gjobë rreth 8.5 milionë Dollarë. Por pasi nuk mundën ta paguanin shumën, gjykata vendosi që t’u merrte pasaportat.