Arrihet marrëveshja: Vedat Muriqi kalon te Lazio, televizioni turk zbulon detajet

Nga mediat në Turqi tashmë po konsiderohet punë e kryer. Vedat Muriqi nga sezoni i ri do vesh fanellën e Lazios.

Reprezentuesi i Kosovës kaloi vetëm sezonin e parë te Fenerbahce, por në aspektin individual shënoi sukses të madh. Sulmuesi shtatlartë e mbylli sezonin me 15 gola, duke u renditur i katërti në listën e top golashënuesve në Superligën e Turqisë. Ai gjithashtu shtoi edhe 5 asistime.

Falë formës së tij të mirë në sezonin e fundit, për sulmuesin prizrenas kanë shprehur interesim një numër i madh i klubeve europiane, teksa Lazio besohet se ka siguruar tashmë shërbimet e tij.

‘TRT Spor’ shkruan se tashmë është arritur edhe marrëveshja mes klubeve. Sipas televizionit turk, Lazio do paguajë 18 milionë euro për shërbimet e 26 vjeçarit, shtuar këtu edhe 2 milionë tjera në formë të bonuseve.

‘TRT Spor’ shkruan gjithashtu se Vedat Muriqi do nënshkruaj kontratë 5 vjeçare me klubin italian.