Azemi: Punëtorët e sektorit privat me pagë 170 euro mezi po mbijetojnë

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se faturën kryesore të pandemisë po e paguajnë punëtorët e këtij sektori. Ai ka theksuar se ata me pagë prej 170 euro mezi po mbijetojnë.

Azemi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se deri në fund të vitit do të ketë mbi 100 mijë persona do ta humbin vendin e punës dhe se pagat janë dyfish më të vogla.

“Është një çështje shumë e rëndë që do të na godas edhe më shumë, por në fakt faturën përfundimtare në këtë gjendje çfarë jemi po e paguajnë vet punëtorët e sektorit privat, nuk po e paguan shteti, nuk po e paguajnë pronarët e kompanive sepse zgjedhja përfundimtare për gjendjen që po krijon Covidi është barra e punëtorëve të cilët në fakt deri në vit të ri do të ketë mbi 100 mijë vende të punës të humbura”.

“…kemi pagat pothuajse dyfish më të vogla, largim masiv të punëtoreve, zvogëlim të pagave dhe ne jemi ata që po e bëjmë derisa pronarët e kompanive po them edhe shteti kanë krijuar një kapital dhe ata janë të gatshëm të qëndrojnë ndoshta edhe me vite të tëra sepse kanë një kapital të grumbulluar”.

Po ashtu Azemi ka theksuar se goditja në sektorin privat ka filluar edhe pa qenë pandemia dhe se punëtorët nga ky sektor me pagën prej 170 euro mezi po mbijetojnë.

“Goditja në sektorin privat ka filluar edhe pa qenë pandemia këtu sepse ne kemi qenë të goditur dhe prapë jemi. Ne jemi në minimum nuk kemi ku shkojmë më tutje”.

“Mezi po mbijetojmë me një pagë 170 euro faktikisht ne po punojmë, pjesa dërmuese e punëtorëve të sektorit privat po punojnë që ndoshta nesër do të bëhet mirë përndryshe sot për sot kemi një pjesë bukur të madhe të sektorit privat që më shumë janë duke shpenzuar për të shkuar deri në vendin e punës se sa që përfiton në fund të muajit”, tha ai.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat ka qenë kritik edhe ndaj gastronomëve duke thënë se mbi 70 për qind e punëtorëve të tyre kanë qenë pa kontrata pune.

“Realisht kanë pësuar që të gjitha kategoritë e sektorit privat sepse nuk kisha dashur që ti dalloj edhe pse shteti për Pakon Emergjente që u tha se do të financojë punëtorët që ishin të dedikuar në fakt ne e paguan edhe këtë faturë sepse të gjitha mjetet që u derdhen në llogaritë e punëtorëve pronarët e kompanive pas një periudhe ua tërhoqën dhe të gjitha këto mjete shkuan në llogarinë e kompanive”.

“Përndryshe të gjitha kategoritë sepse edhe punëtorët e sigurimit fizik edhe punëtorët teknik, punëtorët e ndërtimtarisë, të gjithë po e paguajnë edhe punëtorët e gastronomisë. Shteti nuk është në nivel ndaj gastronomëve por edhe vet gastronomët nuk janë në nivel ndaj punëtorëve sepse ata janë mësuar nga punëtorët që në çdo moment vetëm të fitojnë dhe në momentin kur bije nuk do ta ketë fitimin e nivelit që ai e mendon zgjidhja e vetme është largimi i punëtorëve për të cilët sipas një statistike që e kam unë mbi 70 për qind e punëtorëve të gastronomisë kanë qenë pa kontrata pune”, shtoi Azemi.