Bahtiri kundër propozimit të Ahmetit: Prishtina nuk është vetëm e tij, po i dëmton qytetarët

Propozimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për të vendosur taksë prej 10 eurove për qytetarët e komunave të tjera që hyjnë në kryeqytet, ka nxitur reagime të shumta. Për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri.

Bahtiri në një prononcim për Periskopin thotë se një propozim i tillë është i pamenduar mirë madje e kundërshton këtë ide.

I pari i Mitrovicës deklaron se me këtë propozim Komuna tenton ta shkelë lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës.

‘’I pa menduar mirë dhe mendoj se Prishtina nuk është vetëm i kryetarit të Komunës por i gjithë Kosovës dhe cdo tentativë e tillë është e papranueshme për qytetarët e Mitrovicës por mendoj edhe e krejt Kosovës. Ne kemi një kryeqytet dhe si të tillë e respektojmë dhe mburremi me kryeqytetin që e kemi por nuk e ka asnjë limit në këtë drejtim që të mendohet të bëhet një gjë e tillë sepse është në kundërshtim me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Ne nuk jemi në një shtet evropian që ka të hyra, e as nuk e ka komoditetin për të marrë një vendim të tillë. Jemi shtet i varfër.

Tutje, Bahtiri thekson se propozimi për të vënë taksë për të gjithë personat që duan të hyjnë në Prishtinë, do t’i dëmtojë edhe më shumë bizneset.

‘’Për mua është e papranueshme dhe s’e kuptoj se si mundet me mendu një qeverisje të tillë të bëjë diskriminim me qytetarët e komunave tjera. Mjaftë e kemi pandeminë që i ka shkatërruar bizneset, tani edhe me këtë kusht që duan ta vendosin e shkatërrojnë total biznesin dhe kuletën e qytetarëve sepse është jo parimore e jo njerëzore gjithashtu e papranueshme. Unë e respektoj zotëri Ahmetin por nuk e respektoj mendimin e tij sepse është i dëmshëm për bizneset që janë të vendosura në Prishtinë dhe se preket edhe kuleta e qytetarëve të Mitrovicës. Sigurisht se do ta pranoja një takim me kryetarin Ahmeti dhe do të kërkojmë përmes Asociacionit të Komunave që ta kemi një takim dhe të ulemi e të bisedojmë se cila është arsyeja e kësaj kërkese. Dhe si mundet nje qeverisje lokale me mendu për një vendim të tillë’’, përfundon Bahtiri për Periskopin.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, tha se askujt nuk i mohohet e drejta për të hyrë me veturë brenda Prishtinës, por se për ta shfrytëzuar këtë të drejtë duhet të paguhet taksa e gjelbër.

“Çdo kush që vjen nga Peja, Gjakova, Klina, Drenica, ka të drejtë dhe mund të hyjë në Prishtinë, vetëm se për këtë duhet ta paguajë taksën e gjelbër, duhet të paguajë 10 euro. Kjo ende nuk është vendosur por është menduar kështu”, theksoi Selimi.