Trump: Unë e shmanga luftën e Amerikës me Korenë e Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se zgjedhja e tij si president ishte arsye e vetme pse ShBA-ja nuk është në luftë me Korenë e Veriut.

Ai po ashtu quajti vendimin e presidentit të mëparshëm George W. Bush për të pushtuar Irakun si “vendimin më të keq që ishte marrë në histori të kombit amerikan”.

Gjatë një interviste ekskluzive me The Post, Trump ai foli për një mori çështjesh, shkruan Periskopi.

“Kujtohuni kur thanë se unë do ta fusja vendin në luftë brenda 24 orësh në detyrë për shkak të personalitetit tim? Ata nuk më kuptojnë,” deklaroi presidenti Trump.

“Kur ta këqyrni Korenë e Veriut – ku është lfuta? Ne do të ishim në luftë me Korenë e Veriut nëse unë nuk do të zgjidhesha, do të ishin në luftë qysh tash.”

Trump dhe diktatori koreanoverior Kim Jong Un kanë krijuar një miqësi të çuditshme me njëri-tjetrin, duke i shkruar letra e duke iu drejtuar me fjalë të mira njëri-tjetrit.