Bajrami: Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë, nder dhe fat për mua dhe familjen time

Profesor i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami e quan nder, faktin që përpos që ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, ishte edhe njëri nga hartuesit e saj.

Ai për Front Online ka thënë se e konsideron veten me fat që e firmosi këtë deklaratë në emër të qytetarëve të Kosovës.

“Një moment i paharruar që do ta trashëgoj edhe tek fëmijët e nipat e mi, do të jetë pikërisht fakti që unë isha një nga nënshkruesit e Deklaratës, madje edhe njëri nga hartuesit. Për mua dhe familjen time ky është një nder i jashtëzakonshëm dhe mund të themi se jam me fat, që kam jetuar në atë kohë dhe kam pasur mundësi në emër të qytetarëve të Kosovës të firmosi Deklaratën e Pavarësisë”, ka deklaruar profesori.

Bajrami, punën si ministër e quan mision të suksesshëm, pasi thotë se kjo përgjegjësi për të ishte e veçantë.

“Unë jam i lidhur emocionalisht me këtë datë sepse e quaj të suksesshëm edhe misionin tim si ministër i Administratës Publike. Si një nga protagonistët e shtet ndërtimit, nga vitet e 90 e këndej kam pasur përgjegjësi në historitë e shkruara në të gjitha kushtetutat e vendit tim, nga ajo e Kaçanikut, pastaj kornizën kushtetuese e deri te Kushtetuta aktuale , ka pohuar ai.

Ish-deputeti dhe nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, Arsim Bajrami ka treguar për ecurinë e punës para 17 Shkurtit të 2008-së dhe koordinimin që kishin me ndërkombëtarët.

“Lindja e shtetit të Kosovës me Deklaratën e Pavarësisë ka qenë një moment historik jo vetëm për shqiptarët e Kosovës dhe për kombin shqiptar në përgjithësi, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare e cila bashkë me ne u koordinuan plotësisht për shpalljen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Para se ta shpallnim Pavarësinë, kisha për çdo ditë takime me Ambasadën Amerikane. Takim minutë pas minuti, kështu që mund të themi, ato kohë kanë qenë kohë të arta” ka vlerësuar Bajrami.

Bajrami ka treguar edhe për takimet që ai organizon për çdo vit në nderë të kësaj feste.

“Unë çdo vit e kujtoj këtë datë me studentet e mi, dhe gjithmonë organizoj një ditë të veçantë me studentet e së drejtës kushtetuese të vitit të dytë. Njëjtë si viteve tjera edhe me këtë 17 Shkurt unë do ti bëj bashkë studentet e Tiranës dhe të Prishtinës të cilët do të vizitojnë kuvendin dhe sallën ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë, dhe do ti evokojmë kujtimet e asaj dite të shenjtë”, u shpreh ai për Front Online.