Beogradi thotë se 17 vende kanë tërhequr njohjet për Kosovën, MPJ hesht

Në vitin 2008, kur Kosova e kishte shpallur Pavarësinë, vendi ishte njohur nga 53 shtete dhe që nga ajo kohë procesi i sigurimit të njohjeve ndërkombëtare ka ngecur dukshëm.

Për 11 vjet, vendi ka arritur të sigurojë 116 njohje nga shtete të ndryshme të botës. Të paktën, kështu figuron në faqen e internet të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në renditjen e vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, figuron edhe emri i Ganës, për të cilin shtet në fillim të muajit nëntor, u tha se ka tërhequr njohjen.

“Qeveria e Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovën si një shtet i pavarur”, pati cituar AFP, zëvendësministrin e Jashtëm të Ganës, Charles Owiredu.

Kurse, në letrën që Ministria e Punëve të Jashtme e Ganës e ka dërguar te autoritetet në Serbi e cila është prezantuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, thuhet se vendimi për njohjen e Kosovës në vitin 2012 ishte i parakohshëm.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate kishte mohuar pretendimet e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e tij për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana.

Autoritetet në Beograd pretendojnë se janë 17 shtete që kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

Të premten mediat serbe kanë raportuar edhe për tërheqjen e një njohjeje të pavarësisë së Kosovës. Republika Nauru nga Pacifiku, sipas Beogradit, është shteti i 17-të që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

E tërheqjen e njohjes nga Nauru, Ministria e Punëve të Jashtme nuk është prononcuar.

Jetlir Zyberaj, këshilltari i Ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë Behgjet Pacolli, në vazhdimësi është kontaktuar nga Periskopi për të komentuar këtë lajm, por se i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.

Ndërsa më parë, ministri I Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli, nga 17 vende sa thotë Beogradi që e kanë çnjohur Kosovën, ka deklaruar se ka pranuar vetëm një notë verbale nga ishujt Solomon duke e konfirmuar kështu çnjohjen nga ky shtet.

Disa njohës të çështjeve ndërkombëtare në Kosovë, megjithatë kanë thënë se në të drejtën ndërkombëtare, çnjohja e një shteti nga një shtet tjetër që ka njohur më parë nuk ekziston si term.