Borovci vazhdon dëshminë në Speciale në procesin ndaj Salih Mustafës

Sot dëshmitari i katërt i mbrojtjes, Hazir Borovci, vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në procesin e gjykimit ndaj Salih Mustafës.

Ndryshe dje Borovci ka thënë se Salih Mustafën e ka parë në fillim të prillit të vitit 1999 në fshatin Butovc të Prishtinës, ku sipas tij ata anë takuar edhe herë të tjera aty gjatë mesit të muajit prill të atij viti.

Borovci, i cili është dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Mustafës, ka thënë para trupit gjykues në Hagë, se Mustafa i ka këshilluar të mos i braktisin civilët shqiptarë dhe se këtyre të fundit u ka dhënë mbështetje morale.

Gjatë dëshmisë së tij, ndër të tjera, Borovci ka thënë se UÇK-ja nuk kanë ndikuar dallimet politike apo fetare.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius Von Bone, Borovci ka thënë se ishte kyçur në Lidhjen Demokratike të Kosovës që prej fillimeve të saj. Ai ka treguar se gjatë luftës ka banuar në rrugën “Isa Kastrati” pranë Velanisë në Prishtinë dhe se aty ka qëndruar deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s.

“Në atë periudhë isha veprimtar i Lidhjes Demokratike, gjegjësisht nënkryetari i Degës së Tretë, isha po ashtu pjesë e Këshillit të Emergjencës së Prishtinës, dhe ndjehem mirë para jush kur them isha pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ,se isha një prej ushtarëve, gjegjësisht çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kisha angazhime në degën time, në LDK, kisha angazhime në Këshillin Komunal të Emergjencës, gjegjësisht solidaritetit, dhe po ashtu me nder dhe kënaqësi e them para jush isha ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Borovci.