Borrell: I kërkova Vuçiqit lirimin e tre policëve menjëherë dhe pa kushte

Shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell është deklaruar pas përfundimit të takimeve të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, shkruan Gazeta Sinjali.

Borrell tha se duhet të mbahen zgjedhjet e reja sa më shpejt, teksa e përmendi edhe kushtin e Kurtit për lirimin e tre policëve kosovarë që u rrëmbyen nga Serbia.

Ai tha se ia ka theksuar Vuçiqit se policët kosovarë që po mbahen në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

“Takimi i sotëm është fokusuar te ajo se si të shtensionohet situata në terren, me hapa konkretë dhe si të organizohen zgjedhjet e reja dhe të kthehemi në tryezën e dialogut.

Dy liderët e kuptojnë peshën e situatës, por që kanë qasje të ndryshme të shkaqeve dhe efekteve e pasojave, e zgjidhjeve.

Jemi pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja dhe kemi diskutuar modalitete se si të arrihet atje.

Ia kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.“, tha Borrell, raporton Sinjali.

Borrell dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar të enjten “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me Kurtin dhe Vuçiqin.

Ai shtoi se do të jetë në kontakt të ngushtë me të dyja palët në ditët në vijim dhe se ai do të raportojë te ministrat e jashtëm të BE-së të hënën për “ku qëndrojmë dhe ku duhet të shkojmë”.

Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.