Borrell kërkon formimin sa më shpejt të Qeverisë

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontell pas takimit të tij me presidentin Hashim Thaçi shprehu përkushtimin e tij për Kosovën dhe Ballkanin perëndimo.

Borrell-i gjatë fjalimit së tij tha se ai dhe BE-ja do të vazhdojnë përkrahjen ndaj Kosovës dhe rrugës euroatlantike të Kosovës. “Jam shumë i kënaqur që jam në Kosovë. Jam këtu që të ofroj ndërmjetësimin tonë, ti përgjigjem besimit tuaj, dhe të mundohemi të vazhdojmë bashkëpunimin. Për mua BE-ja nuk është e kompletuar pa Ballkanin perëndimor. Dëshirojmë të ofrojmë siguri dhe stabilitet për të gjithë”, tha përfaqësuesi i BE-së.

Tutje Borrell bëri thirrje që sa më parë të formohet qeveria e re. “Kosovarët janë të lirë dhe është çështje e tyre që ta vendosin fatin e vet. Ajo që dëshirojmë të shohin ne si BE është që të formohet një qeveri sa më shpejt dhe jam i lumtur që Presidenti Thaçi e sqaroi që kjo do të ndodh shumë shpejt”, tha ndër të tjera Borrell.