BQK refuzon kërkesat e kompanive të sigurimit për rritje çmimi

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim që të refuzojë kërkesat e kompanive të sigurimit për rritje të çmimit të policave të sigurimit për 36,5 për qind, por ka kërkuar nga ato që çmimin e policës së sigurimit ta përshtatin me inflacionin në vendin tonë.

Përmes një komunikatë për media BQK-ja njofton se vlerëson se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të kategorisë I për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018 në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë.

“Megjithatë, BQK në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport ”, thuhet ne komnikatë.

Sipas këtij vendimi, BQK-ja ka kërkuar nga siguruesit që t’i përshtatin tarifat aktuale të primit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia për grupin tarifor I, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018.

Sipas BQK-së përshtatja e tarifës së primeve përkatëse me inflacion duhet të bëhet duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5%.