Dëshmitari në rastin e Mustafës pyetet për kohën kur iu bashkua LDK-së e qëllimin e LPRK-së

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brahim Mehmetaj, është dëshmitari i radhës ndaj ish-komandantit Salih Mustafa.

Mehmetaj nga trupi gjykues u pyet në lidhje me veprimtarinë e tij gjatë kohës së paraluftës dhe gjatës saj, duke filluar qysh prej bashkimit të organizatës që aso kohe ishte ilegale, Lëvizja për Republikën e Kosovës ose LPRK.

Ai tha se LPRK-së i është bashkuar në fundin e viteve 88’, teksa shtoi se funksionimi i kësaj organizate, që sipas tij, në atë kohë bëhej në grupe të vogla.

“Është e vërtetë që nga fundi i viteve 88 i jam bashkuar organizatës ilegale të asaj kohe të quajtur Lëvizja për Republikën e Kosovës ose LPRK”.

“Realisht në atë kohë për shkak të specifikave dhe rrezikshmërisë, funksionimi ka qenë në grupe të vogla, ose të quajtura këshilla popullore. Këshillat popullore kanë pasur për detyrë përgatitjen për ndonjë situatë lufte dhe vetëdijesimin e qytetarëve se e vetmja zgjidhje për liri nga okupatori ka qenë lufta e armatosur”, është shprehur Mehmetaj.

Sipas Mehmetajt, qëllimi i LPRK-së ka qenë vullneti që të vinin te liria, ku më pas u pyet edhe në cilën periudhë kohore ai iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“LDK-së iu kam bashkuar që në themelim, 1989-90. Pothuajse në të gjitha strukturat e funksionimit të LDK-së. Kam qenë kryetar i degës së rinisë së LDK-së për Prishtinë. Pastaj, anëtar kryesie në nivel të degës e deri te anëtar i Këshillit të Përgjithshëm”, ka thënë tutje Mehmetaj.

Mehmetaj tha se në lëvizjen guerile BIA ka qenë zëvendëskomandant, i atij që tashmë është në bankën e të akuzuarit, Salih Mustafës, i njohur me nofkën “Cali”.

“Që nga themelimi unë kam qenë zëvendëskomandant i Calit deri në një kohë kur e kam ndërruar detyrën. Në themelimin e BIA-s është formuar shtabi ku brenda shtabit janë themeluar katër sektore, ai i shëndetësisë, i logjistikës, informacionit dhe sektori për moral e politikë”, është shprehur Mehmetaj.