Drejtori i Policisë: Kemi hartuar urdhër operativ, bëj apel tek qytetarët të ruajnë qetësinë gjatë procesit zgjedhor

Komisioni Qendror Zgjedhor ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, në të cilën i pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Mehmeti tha se pas shpalljes së zgjedhjeve, Policia e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor ka hartuar urdhrin operative në nivel qendror si dhe plane operacionale ku parashihen të gjitha masat preventive operacionale dhe hetimore policore për çdo fazë të procesit zgjedhor.

“Ky urdhër nënkupton krijimin e një klime të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës gjatë tërë procesit zgjedhor. Mbajtja e rendit dhe qetësisë publike gjatë dhe pas procesit zgjedhor, monitorimi dhe ndërmarrja e masave policor para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.Monitorimi i qendrave të votimit, depove komunale, qendrës për numërimin e rezultateve dhe depos qendrore.Përcjellja e sigurt e të gjitha materialeve sensitive në të gjithë anët deri në përfundim të procesit. Lidhur me procesin zgjedhor ekziston memorandumi i bashkëpunimit në mes institucioneve dhe qëllimi është koordinimi dhe bashkëpunimi në mes akterëve bashkëpunues”, tha Mehmeti.

Tutje Mehmeti theksoi se parashihet që ekipet e përbashkët atë policisë dhe prokurorisë të jenë të pranishëm në të gjithë territorin e Kosovës.

”Bëj apel tek të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësinë që gjatë këtij procesi parazgjedhor dhe të zgjedhjeve që të jenë në përputhje me zbatimin e të gjitha ligjeve dhe procedurave të cilat parashihen me ligj”.