E thotë studimi: Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Evropë të grave që diplomojnë në shkencat ekzakte

Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Evropë të grave që diplomojnë në Shkencë, Teknologji dhe Inxhinieri ose Matematikë.

Pesha e të diplomuarave në këto disiplina në vitin 2015 ishte 53.1%. Konkretisht, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku më shumë gra se burra janë diplomuar në shkencat ekzakte.

Një studim i fundit nga dy psikologë dhe studiues nga Universiteti i Misurit dhe Leeds Beckett ka arritur në përfundimin se barazia gjinore i mban gratë larg shkencës. Ata i kanë quajtur këto fenomene “paradoksi i barazisë gjinore”.

Ata adresojnë fenomenin që sa më shumë gra kanë arritur barazinë gjinore në një shoqëri, aq më pak ato zgjedhin të studiojnë në profile si Shkencë, Teknologji, Inxhinieri ose Matematikë, duke krijuar kështu një lidhje negative midis këtyre dy treguesve.

Nga grafiku i publikuar nga InfoData 24 orë, pas Shqipërisë, përqindja më e lartë e grave që janë diplomuar në një nga disiplinat e mësipërme është Maqedonia, me 45.1%.

Përqindja më e lartë e grave që janë diplomuar në shkencë është kryesisht në vendet e Evropës Lindore, ndërsa më e ulta në Evropën Perëndimore.

Luksemburgu ka përqindjen më të ulët të grave të diplomuara në shkencë me 21.8% dhe Zvicrën me 22.73%, megjithëse në lidhje me indeksin e barazisë gjinore, kanë shënuar pikë të larta.

Shqipëria, megjithëse krahasohet me rajonin, është pozicionuar më mirë përsa i përket barazisë gjinore, ka përqindjen më të lartë të grave shkencëtare.

Vendet me barazinë më të lartë janë vendet Nordike, Finlanda dhe Norvegjia. Por edhe pse këto gra kanë arritur pozicionin që dëshirojnë në shoqëritë e këtyre vendeve, vetëm 27 dhe 29 përqind e këtyre grave kanë zgjedhur të kenë një karrierë në shkencë.