Edi Reja: Islandës ia kam frikën nga ajri, duhet të tregojmë forcën tonë në këtë përballje

Trajneri i kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, duket i gatshëm të nisë aventurën e tij në krye të kuqezinjve me një fitore, edhe pse këtë herë kemi përpara një rival shumë të fortë në grup, siç është Islanda.

Trajneri italian i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, në konferencën për shtyp përpara sfidës ndaj islandezëve analizoi gjendjen e kuqezinjve, kundërshtarin ndërsa thumboi Eros Grezdën i larguar nga grumbullimi i kombëtares pak ditë më parë. Në fillim Reja u pyet për kohën që ka pasur në dispozicion dhe stërvitjen e grupit, gjendjen e tij dhe njëherësh njohjen e lojtarëve.

“Unë në fushë gjatë stërvitjes i kam shprehur lojtarëve filozofinë time të cilën e kanë kuptuar. 15 ditë nuk kanë mjaftuar, në fushë shpresoj të marrim një rezultat të mirë dhe do i jepte besim lojtarëve që filozofia funksionon dhe puna e tyre nuk ka shkuar dëm”, theksoi Reja. Më pas ai foli për skemën taktike dhe gjendjen psikologjike të grupit, duke e çmuar atmosferën dhe situatën në radhët e grupit me moral të larë.

“Unë pres nga ekipi të jetë i ekuilibruar në fushë, të ketë ndjenjën e pjesëmarrjes në të gjitha repartet. Duam të jemi mirë dhe në sulm, dhe jo vetëm të mbrojmë. Të shkojmë në fushë dhe të shohim nëse do jete filozofia ime rezultative apo jo”, shtoi Reja.

Trajneri foli më pas për kundërshtarin, Islandën, duke thënë se bëjnë lojë të fortë fizike, të fuqishëm në veprimet e tyre në ajër dhe njëherësh një skuadër me eksperiencë prej disa vitesh, duke arritur në maksimumin e saj. “Të gjithë grupin e njoh mirë. Kanë një organizim të mirë në të gjithë fushën. Ata kanë Sigurdson që është një lojtar shumë i mirë dhe kyç si në teknike dhe në fizik. Ne do të shkojmë në fushë për të bërë ne lojën tonë, nëse do presim lojën e tyre do të bëhen shumë të rrezikshëm”, nënvizoi më tej trajneri Edi Reja. Kuptohet, nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes formacioni titullar, ku trajneri veteran italian nuk dha sqarime.

Gjithsesi, ai kujtoi se duhet të jenë lojtarët që duhet ta marrin vesh së pari kush do të luajë dhe jo mediat, për këtë ai ka zgjedhur të bëjë “memecin” sipas mënyrës së tij, duke mos dhënë aspak detaje rrethe modulit taktik dhe emrave që do të angazhohen nga minuta e parë.

“Këtë nuk e dinë lojtarët, nuk ia kam thënë atyre, kështu që duhet të pritet e nesërmja. Mirë është të dinë ata të parën dhe pasta ju. Me dy sulmues, është një projekt por nesër do të duket çdo gjë”, nënvizoi më tej në fjalën e tij trajneri italian i kombëtares kuqezi. në fund, Reja pranon hapur Islanda ka avantazhe në luftën në ajër dhe janë skuadër që di të luajë fort nga krosimet nga këndi dhe atyre të goditjeve standarde, por edhe qëndrueshmërisë fizike dhe disiplinimit taktik.

“Krosimet dhe goditjet standarde do të krijojnë shumë probleme për ekipin dhe unë i kam marrë masat, sepse islandezët luajnë fort në lojën në ajër dhe janë agresivë nga krosimet”, përfundoi trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Edi Reja.

Duhet thënë se gjendja e grupit është e mirë dhe vetë trajneri u tregua optimist rreth rezultatit. Ai shpreson ta nisë me fitore aventurën e tij në krye të kuqezinjve, por pranohet gjerësisht nga skuadra dhe vetë stafi që edhe barazimi do të ishte rezultat i pranuar. Ajo që është e sigurt ka të bëjë me ambicien e skuadrës për të dalë me pikë nga transferta e Reikjavikut dhe Reja e di mirë që një humbje në këtë ndeshje do ta nxirrte Shqipërinë nga objektivat.

Prandaj ai do të futet në fushë me skuadrën e tij për të mos e humbur këtë përballje. Morali i grupit është i lartë, përgatitja ka ecur mirë por qëndrime si ai i Grezdës dhe natyrisht disa shqetësime që vijnë nga lëndimet nuk e lejojnë Rejën të jetë komod në pozicionin e tij. Gjithsesi, për Shqipërinë është momenti të bëjë kthesën e madhe dhe Reja ka theksuar se lojtarët duhet ta tregojnë veten çfarë dinë të bëjnë pikërisht në këtë ndeshje.