Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë e zhgënyer me vendimin e Kushtetueses për Ligjin për Pagat

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC) ndihet e zhgënjyer me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e pavlefshëm të Ligjit të Pagave në Sektorin Publik.

FSSHCK konsideron se shërbyesve publikë iu mohohet e drejta elementare e trajtimit dinjitoz në paga.

“Me anulimin e këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës iu është mohuar e drejta për trajtim të dinjitetshëm shërbyesve civilë, të cilët edhe ashtu janë në gjendje të rëndë ekonomike, edhe përkundër që puna e tyre është shumë me përgjegjësi. Shfuqizimi i këtij ligji nga Kushtetuesja do t’i dekurajojë në përgjithësi nëpunësit civilë”, thuhet në reagimin e FSSHC-së.

FSSHCK-ja është zhgënjyer nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese për faktin se sipas tyre, i tërë ligji nuk mund të jetë kundër-kushtetues.

Njëkohësisht, FSSHCK-ja përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për formimin e menjëhershëm të grupit punues për Ligjin e Pagave dhe njëkohësisht kërkojnë që të trajtohet me prioritet edhe gjatë procedimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.

“Nëse nuk ndërmerren masat e menjëhershme nga institucionet qeveritare për të përmirësuar gjendjen aktuale të shërbyesve civilë pakënaqësitë sindikale të zyrtarëve civilë dhe publikë do të reflektohen në forma të ndryshme për të kërkuar të drejtën elementare për pagë të dinjitetshme”, thuhet në reagimin e FSSHCK-së.