Fillon vaksinimi kundër COVID-19 edhe në veri të Mitrovicës, pensionistët i falënderohen Vuçiqit

Vaksina kundër COVID-19 ka mbërritur edhe në veri të Mitrovicës.

Në veri të Kosovës sot ka filluar vaksinimi kundër COVID-19. Qytetarët e moshuar janë kategoria e parë që ka marrë vaksinën Pfizer-Biontech dhe i janë falënderuar shtetit të Serbisë, raporton Politika, transmeton lajmi.net.

Pas Leposaviçit, vaksinimi ka filluar edhe në veri të Mitrovicës kurse nesër do të vazhdojë në Zubin Potok dhe Zveçan.

“Kam besim tek presidenti i shtetit, mjekët, për këtë arsye kam ardhur të marr vaksinën, shpresoj të jetë më mirë”, deklaroi një pensioniste e cila priste në radhë për t’u vaksinuar.

Një tjetër ka thënë se nuk kishte reaksione të padëshiruara dhe se ndihet e kënaqur që mori vaksinën duke falënderuar shtetin serb që përkujdeset për serbët në Kosovë. “Besoj te kjo vaksinë dhe mezi kam pritur të vjen, për shkak të sigurisë time dhe sigurisë së të tjerëve”, u shpreh një tjetër pensionist.

Drejtoresha e Shtëpisë së Pleqve në veri të Mitrovicës, Miljana Nikoliq ka shprehur falënderimin ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq duke theksuar se Serbia është shteti i parë në rajon që ka marrë vaksinën në luftë kundër COVID-19.

“Vaksina është shpëtim sepse nuk e dijmë se në cilin drejtim është duke shkuar e gjithë kjo”, tha Nikoliq para gazetarëve.