“Fjalët e Çarshisë” përplasin Shalën e Nitajn

Një përplasje nga larg, përmes Facebook-ut, ka ndodhur mes dy deputetëve të koalicionit qeverisës, Haxhi Shalës së Nismës e Muharrem Nitajt të AAK-së.

Ky i fundit në një debat televiziv në tv Dukagjini, ka folur për Nismën Socialdemokrate duke theksuar se nuk e di nëse ata do të japin vota për ta rrëzuar Qeverinë, dhe siç tha ai, “Çarshia flet që Limaj po kthehet në PDK”. E kjo ka bërë që të reagojë njëri deputet i Nismës.

Haxhi Shala thotë se Nitaj funksionon edhe si deputet duke u bazuar vetëm në fjalë të çarshisë, çka edhe ndikoi në një përplasje mes tyre. Shala, madje e ka quajtur Nitajn edhe zëdhënës të shpifësve e mashtruesve.

“Veç në Kosovë ndodh që një deputet në debat politik të një televizioni me frekuencë kombëtare shërbehet me fjalë të çarshive për të bërë goditje të ulëta, siç e tha Muharrem Nitaj. Ai sonte na tregoi se edhe në tv edhe në parlament, kur flet, si argument dhe bazë e fjalimeve të tij janë fjalët e çarshisë ose me thënë më shqip thashethemet, e bëhet zëdhënës i shpifësve e mashtruesve. Për keqardhje në çfarë niveli bie një deputet. Edhe një gjë Muharrem me i fol fjalët e çarshisë çka flitet për ju nuk ishi dal hiq në tv po ne as nuk merremi e as nuk përdorim fjalët e çarshisë. Nuk jemi të tillë shyqyr që nuk jemi të tillë”, ka shkruar mbrëmë Shala në Facebook.

Ndërkohë, Nitaj duke iu kundërpërgjigjur thotë se gjithçka është keqkuptuar çfarë ai ka thënë në të vërtetë, e ka theksuar se, Shala, duhet të kërkojë falje.

“Përgjigje kolegëve nga Nisma (po të isha në vendin tuaj kisha kërku falje). I pashë disa reagime të kolegëve të Nisma-s, në mesin e të cilëve edhe të kolegut Haxhi Shala. Më vjen keq që e paskan keqkuptuar prej fillimit e deri ne fund! Nuk është mirë që fjalët të nxirren nga konteksti por mendimi i shpërfaqur duhet të thuhet e të lexohet i plotë dhe brenda logjikës, ka shkruar Nitaj.

“Unë nuk jam bërë zëdhënës i askujt por konstatimit se ka përplasje e mospajtime midis AAK-së e Nismas në Qeveri dhe Nisma mund të votoi për rrëzimin e qeverisë, jam përgjigjur: Ne nuk dijmë çfarë ka ne mendje as Limaj e as Veseli, por e dijmë që në raportet zyrtare nuk ka mospajtime dhe se koalicioni është funksional. Pikërisht ne sensin e cilësimit si thashetheme, kam thënë se ka lloj lloj storiesh duke e përmendur edhe llafin se Çarshia po flet se Limaj do të kthehet në PDK. (Dmth deri këtu shkohet). Unë kështu e kam thënë, dhe kjo s’ka të bëjë asgjë me denigrimin e askujt. Më vjen keq që përfundimet i keni nxjerrë nga titujt e jo nga përmbajtja! Unë po të isha në vendin tuaj do të kërkoja falje!”, ka shkruar Nitaj në Facebook.