Ftesa e Policisë për Gazetarin Olluri, reagon Gani Geci

Ish-Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci ka reaguar ndaj ftesës që i është bërë gazetarit Parim Olluri nga policia e Kosovës pas ankesës së Gecit. Geci përmes një shkrimi në adresë të Gazetës Express ka pranuar se ka denoncuar Ollurin në Policinë e Kosovës.

Geci ka thënë se denoncimin ndaj Ollurit e ka bërë si person dhe jo si gazetar.

“I nderuar gazetar Parim Olluri, ështe shumë e vërtetë se unë Gani Geci nga fshati Llaushë, komuna e Skenderajit,nga i ati Ademi dhe e ëma Raba kam bërë një ankesë në Policinë e Kosovës duke ju denoncuar juve si person dhe jo si gazetar sepse për rastin e titullit të gazetës” Insajder “nuk e kam ditur që e keni shkruar ju”, ka shkruar Geci.

Ai ka thënë se Parim Olluri ka shkelur nenin 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Unë edhe më herët iu kam paralajmëruar se juve me shkrimet e juaja në llogarinë tuaj private në FB, po shkelni nenin 186 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës, juve jeni ai që më keni udhëzuar që të paraqitem në Polici dhe Gjykatë, andaj unë kam vepruar sipas udhëzimit tuaj. Mos i merr nëper gojë organet shtetërore se juve më keni udhëzuar të ju denoncoj edhe e kam paraqitur rastin”, është shprehur Geci.

Geci ka shkruar se Olluri është mësuar që të fyejë dhe të ngacmojë këdo, e kur dikush i thotë atij mos bre burrë ai thotë që po e kërcënojnë.

“Ju jeni mësuar me fy, me ngacmua, me sha këdo dhe nëse juve ju thotë dikush ma bre burrë ,ju i thoni po më kërcënon” ka thënë Geci.

Ish-Deputeti i LDK-së ka thënë se ka njoftuar policinë e policia prokurorinë.

“Unë kam njoftuar policinë,ata sigurisht kanë njoftuar prokurorinë. Tash që të paskan thirr policia si me të quajt ty”.

Geci ka shkruar që ta lërë rahat në punët e tija.

“Të lutem shumë, sikur që tu kam lutur edhe më herët lem me punë të mia vëlla i nderuar” ,ka përfunduar reagimin Geci.