Gashi reagon pas propozimit për rritje të çmimeve të energjisë: Është kosto e paaftësisë qeverisëse

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pasi ZRRE ka propozuar tarifa të reja për shpenzimin e energjisë elektrike.

Gashi përmes një shënimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë për situatën e krijuar në lidhje me energjinë elektrike.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike është kosto e paaftësisë qeverisëse.

Nga kjo paaftësi rëndohet mirëqenia e qytetarëve, sepse rritë koston e jetesës dhe dëmton gjepin e tyre. Ndërkaq, cilado kategori që preket nga kjo rritje në thelb prekë të gjithë pa përjashtim”.

Gashi thotë se se Qeveria pavarësisht gjendjes së rënduar ekonomike, ka “aftësi” ta rëndoj edhe më tej gjendjen.

“Vetëm kjo Qeveri ka “aftësi” që një gjendje të rënduar ta rëndoj edhe më tej, duke na bindur për çdo ditë se ka “aftësi” të qeverisë keq e më keq.

Gashi thotë se edhe më keq është që “Qeveria të lë përshtypjen që nuk e dinë që s’dinë”.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar sot një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike. ZRRE konstaton se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.