Gazeta greke e pyet për bashkimin kombëtar, Kurti flet për pensionet e arrestimet

Në katër pyetje për bashkimin me Shqipërinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka dhënë asnjë përgjigje se kur do të nis së jetësuari zotimi i tij kryesor sa ishte në opozitë.

Në një intervistë për gazetën greke, Kathimerini, të publikuar të hënën, Kurti në asnjë moment nuk e ka thënë qartë se ka në plan ta ndryshojë Kushtetutën, e cila e pamundëson referendumin. Për më tepër, ai flet për rritjen e nivelit të mirëqenies, për luftimin e krimit e korrupsionit dhe për të drejtat e pakicave.

Këtu janë katër pyetjet e gazetës dhe katër përgjigjet e Kurtit:

– Projekti juaj politik është që ju dëshironi të bashkoni Kosovën dhe Shqipërinë dhe të mos u jepni asnjë autonomi serbëve të Kosovës. E saktë?

Unë kam qenë kryeministër i Kosovës për një vit dhe këtë vit pensionet janë rritur për 11%, pensionet e invaliditetit për 33%. Ne kemi dhënë subvencione për nënat dhe fëmijët e rinj dhe nuk bëjmë diskriminim sipas përkatësisë etnike apo fetare. Ne duam bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë por jo në dëm të minoriteteve. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme por jo dy kombe të ndryshme. Problemi është kur Beogradi hidhet dhe dëshiron të minojë shtetësinë dhe institucionet tona. Atëherë është e natyrshme që ne të dëshirojmë të jemi më të fortë, sepse Serbia është shumë më e fortë se ne.

– Çfarë ju bën të mendoni se serbët e Kosovës do të ishin mirë nëse vizioni juaj për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë do të realizohej?

Në këtë mandat u zgjodha kryeministër me biletën e punës dhe të drejtësisë. Dhe mendoj se të gjithë serbët në Kosovë duan punë dhe drejtësi, nuk mendoj se më kundërshtojnë mua si kryeministër. Unë kam një ministër serb, serbët janë të përfaqësuar në të gjitha institucionet, por Beogradi u bën shumë presion që të mos jenë besnikë ndaj Republikës së Kosovës. Ne e luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin si askush tjetër në rajon. Kemi arrestuar 270 zyrtarë shtetërorë dhe publikë për korrupsion këtë vit, dhe kjo e bën qeverinë tonë më të pëlqyeshme edhe për minoritetet. Unë nuk jam vetëm kryeministri i shqiptarëve, jam kryeministër i të gjithëve. Kosova është gjithnjë e më e suksesshme.

– Por ju dëshironi ta shpërbëni atë në një vend më të madh?

Ne duam të forcojmë vendin tonë. Referendumi për bashkim me Shqipërinë nuk lejohet sipas kushtetutës sonë. Kushtetuta jonë ishte gjithashtu e rregulluar ndërkombëtarisht, ajo ka një nen që nuk na lejon të bashkohemi me një vend tjetër. Dhe është e vështirë të ndryshosh.

– Pra, pse thoni se do të votoni pro në një referendum për bashkim?

Siç thashë, ne jemi një komb dhe është e pamundur të harrojmë se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë na është imponuar nga Serbia dhe Jugosllavia. Është një kufi që nuk është i yni. Dhe kur Serbia sulmon Kosovën, ne nuk reagojmë vetëm si Kosovë, ne reagojmë si popull shqiptar, sepse Serbia ka një aleat shumë të ngushtë në Moskë dhe është më e madhe se ne, kështu që ne reagojmë në një mënyrë që na afron më shumë mbrojtje të suksesshme.