Gjergj Dedaj: Albin Kurti si diktator, simptomat i shfaqi gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut nuk i kontribuoi paqes dhe raporteve të mira ndërshtetërore, por përkundrazi i acaroi mardhëniet ndërmjet dy vendeve fqinjë. Kështu ka deklaruar në një intervistë për portalin Front Online ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.

Sipas Dedajt, vizita e shefit të qeverisë Kosovare ditë më parë në shtetin fqinj ishte më shumë personale dhe me karakter elektoral, e cila, siç thotë ai, nuk i takon një lideri shtetëror.

“Vizita e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ishte joshtetëtore dhe joinstitucionale. Ajo më shumë ishte personale dhe me karakter elektoral gjë e cila nuk i takon një lideri shtetëtorë. Liderët shtetërorë sipas protokollit të shtetit në parim kur vizitojnë ndonjë shtet fqinj do duhej të takohen me homologët e tyre shtetërorë. Ndryshe vizita e Kurtit mund të keqkuptohet dhe keqpërdoret për poena partiake dhe kjo është ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të RMV”, u shpreh ai për Front Online.

Një arsye tjetër për vizitën që Kurti bëri në dy komuna të banuara me shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sipas Dedajt, është pasi po mundohet të kamuflojë izolomin që Kosova e ka.

“Në fakt pas sanksioneve nga BE dhe SHBA, ndaj liderëve shtetërorë të Republikēs së Kosovës, këta të fundit po mundohen ta kamuflojnë izolimin politik dhe diplomatik të Republikës së Kosovës me vizita lokale dhe partiake në rajon”, thotë ai për Front Online.

Dedaj për Kurtin: Popullist e përqarës

Ish ambasadori, Gjergj Dedaj thotë se kryeministri Kurti është i njohur si popullist e përqarës.

Ai për Front Online thotë se prishja e raporteve me SHBA-në e BE-në, tregon ambiciet e Kurtit të një diktatori.

“Kurti tashmë është i njohur si popullist dhe përqarës jo vetem me vendet fqinje, por edhe me SHBA dhe BE, është duke e degraduar politikisht Kosovën dhe duke e izoluar si asnjëherë më parë. Prishja e raporteve me botën demokratike por edhe me vetë Shqipërinë vënë në pah ambiciet e tij megalomane me simptom prej diktatori të cilat u shfaqen edhe gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut”, tha ai për Front Online.

Ish –ambasadori në Shkup: Krimi e keqqeverisja po e degradojnë shtetin, urgjentisht në zgjedhje

Ish -ambasadori i Kosovës në Maqedoni Veriore thotë se krimi e kapja e shtetit, po degradojnë shtetin.Andaj, sipas tij duhet të shkohet në zgjedhje.

“Dēshtimet e njëpasnjëshme të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit sidomos në diplomaci po mundohen të kamuflohen me blic skandale rajonale. Krimi, korrupsioni, keqëqeverisja, kapja e shtetit, nepotizmi dhe skandalet ditore janë duke e degraduar shtetin e Kosovēs dhe kjo qeveri është duke e bërë krejtësisht të kundërten e asaj që i ka premtuar elektoratit dhe si e tillë urgjent duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme për ta kthyer në normalitet Republikën e Kosovës”, u shpreh ai për Front Online.

Përndryshe, kryeministri Kurti ditë më parë mori pjesë në përurimin e një rruge me emrin e veprimtarit Adem Demaçi në Çair të Shkupit, ndërsa në Tetovë mori pjesë në lëshimin në përdorim të një rruge në Malësinë e Tetovës.

Gjatë kësaj vizite, Kurti dhe kreu i Tetovës, Bilall Kasami, folën edhe mbi nevojën e hapjes së një tuneli me gjatësi prej rreth 6 kilometrash për lidhjen e Tetovës dhe Prizrenin.

Pas kësaj, policia maqedonase i mori në pyetje dhe ngriti kallëzime penale kundër kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe atij të Çairit, Visar Ganiu, me arsyetimin se nuk respektuan rregullat protokollare shtetërore.