Gucati: Do të kërkojmë shfuqizimin e Speciales

Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se do të kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale gjatë muajit gusht atëherë edhe kur pritet t’i vazhdohet mandati edhe për pesë vjet të tjera kësaj gjykate.

Ai ka thënë se nuk e kanë pritur se do të ketë aktakuzë ndaj Kadri Veselit e Hashim Thaçit, sidomos ndaj këtij të fundit, i cili as që është ftuar për intervistë.”

“Në gusht bëhen 5 vjet të Gjykatës Speciale, dhe pritet t’i vazhdohet mandati. Ne do të kërkojmë prapë se qysh mund të arrihet deri te ndalesa e Gjykatës Speciale apo të shfuqizimit. Do të bisedojmë edhe me juristë, kemi edhe një kompani angleze që na ndihmon. Do të ulemi dhe të bisedojmë me grupet parlamentare. Nënshkrime nuk do të bëjmë më për arsye se do të diskutojmë me deputetët”, ka thënë Gucati mbrëmë në Interaktiv të KTV-së.

Ndërsa i pyetur nëse do të protestojnë, Gucati ka thënë se edhe nëse dalin në protestë, ajo do të jetë paqësore.

“As që e kemi menduar që sot do të ketë aktakuzë. Sidomos jo për presidentin Thaçi dhe Kadri Veselin, nuk e kemi pritur. Thaçi ka qenë kupola e UÇK-së, ai nuk ka qenë i ftuar as në intervistë, kurse Veseli ka qenë i ftuar në intervistë, prandaj nuk e kemi pritur. Në listën tonë, 200 e disa persona, mbi 64 për qind janë në cilësinë e dëshmitarit, të tjerët janë të dyshuar. Thaçi s’ka qenë i ftuar kurrë, ne e kemi pyetur dhe ai ka thënë se nuk është ftuar. Të paktën ne s’kemi informacione dhe e kemi pyetur personalisht atë dhe ai na ka thënë se nuk e kanë ftuar”, ka thënë Gucati.