Guri i Glacit, vendi i fshehur i mrekullive! Banorët e Gollakut besojnë se aty jetojnë fantazmat

Në fshatin Koliq të Prishtinës gjendet një gur i veçantë, në të cilin sipas banorëve besohet se ka gjurmë parahistorike. Për të është krijuar një mit, i cili ka të bëjë me praninë e fantazmave teksa për këtë vend të fshehur mes maleve të dendura dinë shumë pak persona.

Mitet dhe gojëdhënat nuk janë ndalur ndër vite, teksa subjekt i tyre patjetër se kanë qenë edhe gjërat që vështirë i percepton mendja e njeriut. Mes maleve të dendura e buzë një përroi, i cili ka emrin Reka e Glacit, në fshatin Koliq të Prishtinës gjendet një guri i lartë dhe në dukje i thjeshtë, por aq i veçantë sa vështirë të gjendet një i tillë në ndonjë vend tjetër të Kosovës. Banorët e këtij fshati të Malësisë së Gollakut e njohin mirë këtë vend si për të mirë, ashtu edhe për të keq, madje për të kanë krijuar edhe një mit të frikshëm për shumë njerëz, shkruan Zëri.

Posa kalon rrugën e gjatë e në një terren të vështirë ajo që të shohin sytë është mahnitëse, por edhe e pabesueshme. Kalohen male, fusha e kodrina dhe arritja në këtë vend të përshëndetë me gjurmë parahistorike e rrethuar me një natyrë të veçantë. Posa mbërrin në këtë vend misterioz dhe të fshehur përballesh menjëherë me gurin e madh, në të cilin kanë mbetur shenja parahistorike. Shputa jo e zakonshme e një njeriu gjendet e vendosur në një pjesë të këtij guri. Kjo shputë është shumë e madhe dhe më e gjerë sesa shputa e një njeriu të zakonshëm e që sipas banorëve besohet se është shputa e një njeriu parahistorik. Në ketë vend nuk ka vetëm gjurmë të njerëzve.

Aty ka edhe gjurmë të kafshëve e të mjeteve me të cilat njerëzit kanë punuar më parë. “Thuhet se ka qenë guri i butë dhe kur ka shkelur këmba e njeriut kanë mbetur shenjat në të, porse nuk janë të njëjta me gjurmët e këmbëve që ka njeriu i sotëm. Në këtë gur ka edhe gjurmë të kafshëve dhe të mjeteve me të cilat është punuar atëherë. Nga rrëfimet që na i kanë treguar shumë njerëz në fshat këto shenja lidhen me një epokë të mëhershme”, ka treguar për “Zërin” Fahri Bici, nga fshati Koliq.

Po banorët kanë edhe përvoja të këqija në këtë vend. Fahri Bici nga ky fshat ka rrëfyer për “Zërin” mitin që është krijuar për këtë vend e i cili ka të bëjë me besimin e banorëve që në këtë vend janë të pranishëm edhe fantazmat. Ndonëse kjo gjë nuk është dëshmuar asnjëherë, ai tregon se shumë bashkëfshatarë janë sëmurë mendërisht pas vizitës që kanë pasur në këtë vend. E raste si ky Fahriu di shumë. “Ka pasur raste kur banorë të tjerë të fshatit kur kanë kaluar nga ky vend gjatë natës atyre në maje të gurit u ka dalë një vajzë e veshur në të bardha duke krehur flokët e saj.

Po ashtu ata kanë dëgjuar edhe zëra të çuditshëm në këtë vend. Ata persona janë trembur dhe ka pasur raste që janë sëmurë mendërisht. Ka qenë rasti i një djali në fshat, i cili kur ka kaluar atypari ka parë diçka të frikshme dhe është sëmurë. Ai ka qëndruar i shtrirë pothuajse gjashtë javë derisa e ka marrë veten. Ka edhe shumë raste të tilla si kjo”, ka rrëfyer ai.

Frika që kjo gjë mund t’u ndodhë edhe banorëve të tjerë shumë pak persona kalojnë përgjatë rrugës, e cila gjendet pranë këtij guri, pasi ata besojnë në mitin që është krijuar për këtë vend të fshehur. “Kjo është krijuar si mit në fshat dhe ka pasur persona që edhe e kanë besuar e nuk kanë guxuar të kalojnë më nga ajo pjesë. Për këtë arsye edhe frekuentohet pak nga vizitorët. Arsyeja pse nuk ka shumë vizitorë është se shumë pak persona e dinë vendndodhjen e këtij guri. Vetëm banorë të Malësisë së Gollakut dhe të rrethinës e dinë dhe kanë dëgjuar për të”, ka pohuar ai.

Mosdijenia për praninë e një vendi të tillë, i cili gjendet thellë brenda maleve, ka bërë të mos dihet shumë për historinë e tij dhe për natyrën e bukur që e rrethon. Gërshetimi i maleve, i gurit dhe i përroit, shumëllojshmëria e luleve, e drunjve të ndryshëm që gjenden në këtë vend magjeps të bëjnë të harrosh të gjitha të thënat e frikshme dhe mitin e krijuar për të. Gjërat e bukura shpesh kanë një histori të fshehtë prapa njësojë si Guri i Glacit, i rrethuar me bukuri natyrore me përrua e me ujëvarë, por me mistere e i frikshëm për nga historitë dhe nga mitet e krijuara për të./Zëri/