Haradinaj: Kryeministri i Kroacisë ndërpreu agjendën për Kosovën, Kurti qëndroi 6 ditë në Greqi

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj ka thënë se dyshimet e tij për qeverinë e Albin Kurtit tashmë janë vërtetuar.

Haradinaj thotë se është vërtetuar që tashmë Albin Kurti është mashtrues.

Përveç të tjerash, Haradinaj kritikoi qasjen e Kurtit ndaj helmimit në Deçan, ku theksoi se Kurti qëndroi gjashtë ditë në Greqi në kohën kur në Kosovë po ndodhte një ngarje dramatike, e pastaj udhëtoi për në Kanë, ndërkohë kryeministri i Kroacisë ndërpreu agjendën e tij për shtetas të Kosovës.

“Kryeministri i Kroacisë ndërpreu agjendën e tij për Kosovën, ndërkohë Kurti qëndroi gjashtë ditë në simpozium të partive në Greqi, në kohën kur në Kosovën ishin 2 mijë veta të helmuar në Deçan” – tha ai në Dukagjini.

Haradinaj thotë se me ardhjen në qeveri të Albin Kurtit Kosova ka pasur rritje të madhe të importeve nga Serbia që sipas tij dikur ai i kishte kundërshtuar.

“Kurti ka premtuar se do ta rivendos reciprocitetin, por e vërteta është se u rritë importi i mallrave nga Serbia”.

Haradinaj thotë se ekonomia e Serbisë asnjëherë më parë nuk ka pasur kryeministër më të mirë se Kurti në Kosovë.

“Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë. Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet”, tha Haradinaj.